Grupe të rinjsh, kolonë, vullnetarë, si dhe qeveritarë janë pjestarët e një organizate të njohur si Hashomer Yosh.
Të bindur dhe me ideologji të rrënjosur thellë se tokat u përkasin hebrenjve, Hashomer Yosh prej dekadash kanë dhunuar dhe larguar qindra palestinezë të Bregut Perëndimor nga shtëpitë e tyre.
“Ky është në thelb modeli që do të na mundësojë të mbrojmë burimin tonë më të çmuar. Kjo është tokë që i përket popullit hebre”, thotë në një deklaratë një nga politikanët dhe anëtarët e Knesset për Likud, Ze’ev Elkin.
Qëllimi i Hashmer Yosh është treguar qartë: krijimi i një pranie bujqësore për të vendosur kontrollin hebre mbi kurriz të tokave palestinezëve, nën maskën e mbrojtjes së komuniteteve dhe luftimit të "terrorizmit bujqësor".
Pse quhen “Hashomer Yosh” dhe cila është ideologjia e tyre?
Rrënjët e ideologjisë së Hashomer Yosh mund të gjurmohen që nga fillimi i shekullit të 20-të.
Ndërsa sionistët evropianë filluan të vendoseshin në Palestinë, Alexander Zaïd, një emigrant hebre nga Rusia, themeloi një organizatë të quajtur Hashomer për të mbrojtur vendbanimet hebraike në zonat rurale.
Hashomer u shpërbë me formimin e një organizate formale paraushtarake sioniste, Haganah, e cila më vonë u integrua në Forcat Mbrojtëse të Izraelit. Por, mbi një shekull më vonë, Hashomer Yosh vazhdoi të ndiqte traditën e vjetër: të zaptonte tokat e palestinezëve.
Themeluar në vitin 2013, organizata, emri i të cilit do të thotë "Rojtari i Judesë dhe Samarisë" (që i referohet termit biblik për Bregun Perëndimor), mbështet fermerët e ardhur në gjithë territorin e pushtuar dhe dërgon qindra adoleshentë vullnetarë çdo vit.
Në praktikë, organizata dërgon vullnetarë, qoftë individë apo grupe të organizuara nga institucione arsimore, për të kryer aktivitete roje dhe ndihmëse në postblloqet e fermave në gjithë Bregun Perëndimor.
Me ndihmën e këtyre vullnetarëve, një numër i vogël kolonësh (zakonisht një familje dhe disa të rinj vullnetarë) arrijnë të themelojnë një fermë, të uzurpojnë mijëra dynymë dhe të dëbojnë fermerët palestinezë nga toka.
Pothuajse 100 ferma të tilla bujqësore janë themeluar vitet e fundit, duke kontrolluar qindra mijëra dynymë.
Për disa nga postblloqet e fermave, dhuna është një nga praktikat e përdorura për të marrë nën kontroll tokën. Ata që vijnë t’i ndihmojnë, largojnë barinjtë dhe fermerët palestinezë nga zona përmes kërcënimeve dhe ndonjëherë dhunës fizike.
Si operon organizata?
Shumica e buxhetit të organizatës vjen nga mbështetja e qeverisë së financuar nga taksapaguesit izraelitë.
Nga viti 2020 deri në vitin 2023, ajo mori mesatarisht rreth 1,8 milion shekelë (para) në vit nga Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Negevit dhe e Galilesë. Që nga viti 2018, Hashomer Yosh ka marrë gjithsej 8.377.330 shekelë nga shteti.
Organizata ofron disa pista vullnetarësh: qindra vullnetarë të rregullt në ferma (kryesisht adoleshentë që kanë braktisur arsimin formal) të cilët jetojnë dhe punojnë në fermë dhe marrin mbështetje dhe udhëzime nga organizata, mësime të Torës dhe kurse bazë të arabishtes së folur; qindra vullnetarë në grupe të organizuara (akademi paramilitare, seminare, etj.) që vijnë në ferma për ditë pune ose për periudha të përqendruara dhe vullnetarë nga vendbanimet e afërta.
Hashomer Yosh ofron pajisje, veshje dhe vakte për vullnetarët dhe pronarët e fermave.
Hashomer Yosh punëson gjashtë koordinatorë terreni me makina të kompanisë dhe staf shtesë që operon një qendër për vendosjen e vullnetarëve, dhe më shumë.
Ku vepron Hashomer Yosh?
– Në Kodrat e Hebronit Jugor (Ferma e Abrahamit (ferma e Shabtait), ferma Negohot, ferma Har Sinai, ferma Talya, ferma Ma’ale Hever; Ferma Ma'on, Ferma Makneh Yehuda, Ferma Yehuda)
– Në zonën e Betlehemit (Ferma Pnei Kedem, Ferma Kashuala, Ferma Neve Uri, Ferma Ma’ale Amos.)
– Në Bregun Qendror Perëndimor (Ferma e Zvi Bar-Yosef (nën sanksionet e ShBA-së), ferma e Neria Ben-Pazi (nën sanksionet e SHBA-së), ferma Eretz HaTzvi, Ferma Nahal Shilo, Ferma Ahavat Olam, Sde Efraim, Farma Tzon Keidar, Ferma Mishkanot HaRoim , Ferma LeKhatchila, Ferma Magnezi, Ferma Micha, Ferma Herzlikh (Tapuach), Malachei HaShalom)
– Në Bregun Verior Perëndimor ( Ferma Itamar, Farma Alumot, Ferma Pninei, Farma Hashkedim, Farma Avnei Hefetz, Farma Al Neveh, Ferma Yetedot, Ferma Nof Avi, Ferma Emek Dotan)
– Në luginën e Jordanit ( Ferma Eretz Shemesh, Ferma Umm Zuka, Ferma e Didi-t, Ferma Goshen, Ferma Shirat Ha’Hasavim (Zuriel)
Qindra dëshmi dhe video nga vitet e fundit tregojnë dhunën e lidhur me këto postblloqe fermash, dhe ka pasur raste ku kolonët që mbanin veshje me simbolet e Hashomer Yosh janë dokumentuar duke sulmuar aktivistë për paqe dhe kundër okupimit, si dhe duke dëbuar familjet palestineze nga toka.