Rreth 13,4 milionë foshnja kanë lindur para kohe në vitin 2020 në mbarë botën, thotë hulumtimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh), Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) dhe Shkollës së Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër.
"Rreth 13.4 milionë foshnja kanë lindur para kohe (para 37 javëve të plota të shtatzënisë) në vitin 2020, që përbën afërsisht një në dhjetë të të gjitha lindjeve të gjalla", thuhet në raport. Duke theksuar se lindja e parakohshme është shkaku kryesor i vdekjes së fëmijëve në vitet e para të jetës, raporti thekson se ekziston nevojë urgjente për të forcuar kujdesin ndaj foshnjave të parakohshme për të rritur shkallën e mbijetesës.
Është vërtetuar se të lindurit para kohe kanë probabilitet të lartë për të vuajtur nga sëmundje të rënda, paaftësi, vonesa në zhvillim si dhe sëmundje kronike si diabeti dhe problemet e zemrës në moshë madhore. "Nuk ka pasur ulje të ndjeshme të shkallës së lindjeve të parakohshme në asnjë rajon të botës në dekadën e fundit. Ulja vjetore globale e lindjeve të parakohshme midis 2010 dhe 2020 ishte vetëm 0,14 për qind", thuhet në raport.
Rreth 65 për qind e lindjeve të parakohshme në vitin 2020 janë regjistruar në Afrikën Sub-Sahariane dhe Azinë Jugore. Raporti shpjegon se lindja e parakohshme nuk është problem që shihet vetëm në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme dhe se kjo situatë prek familjet në mbarë botën.
Ndërsa lindshmëria e parakohshme ishte 11,6 për qind në Greqi dhe 10 për qind në ShBA, kjo statistikë u regjistrua edhe në disa vende me të ardhura të larta. Shëndeti i dobët i nënës dhe kequshqyerja kontribuojnë në shkallën e lartë të lindjeve të parakohshme.
Drejtori i Institutit të OBSh-së për Shëndetin e Nënës, Anshu Banerjee tha se foshnjat e lindura para kohe janë veçanërisht të prekshme ndaj komplikimeve shëndetësore të rrezikshme për jetën.
Ai vuri në dukje se shifrat për lindjet e parakohshme tregojnë se ekziston nevojë urgjente për të investuar në shërbimet ekzistuese mbështetëse për foshnjat e lindura para kohe dhe familjet e tyre. Banerjee tha se ekziston nevoja që të fokusohemi në qasjen në shërbime shëndetësore cilësore, veçanërisht para dhe gjatë shtatzënisë.