Hungaria në një vijë me Türkiyen për anëtarësimin e Suedisë në NATO.     /Foto: Reuters

Kryediplomati i Hungarisë Peter Szijjarto deklaroi se ata nuk do të jenë pengesë për anëtarësimin në NATO për asnjë vend, nëse Türkiye ndryshon qëndrimin lidhur me anëtarësimin e Suedisë në Aleancë.

Ministri i Jashtëm dhe i Tregtisë i Hungarisë Peter Szijjarto njoftoi se do të mbështesin vendimet e Türkiyes për çështjen e anëtarësimit të Suedisë në NATO.

Sipas lajmit të "EuroWeekly News", në një postim nga llogaria e tij në Facebook, Szijjarto tha se Hungaria është në komunikim me Türkiyen.

Szijjarto tha se ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan në ditët e ardhshme do të kontaktojë me Suedinë për çështjen e anëtarësimit në NATO dhe se me homologun Fidan janë këshilluar lidhur me këtë çështje.

Duke vënë theksin se janë vazhdimisht në kontakt me Ankaranë, Szijjarto nënvizoi se Hungaria nuk do të jetë pengesë për anëtarësimin në NATO për asnjë vend, nëse Türkiye ndryshon qëndrimin lidhur me anëtarësimin e Suedisë në Aleancë.

Pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë, Finlanda dhe fqinji i saj Suedia aplikuan për anëtarësim në NATO më 18 maj 2022 duke i dhënë fund politikës së tyre prej dekadash të neutralitetit ushtarak.

Më 4 prill Finlanda u bë anëtarja e 31-të e NATO-s ndërsa për anëtarësimin e Suedisë nuk është dhënë ende miratimi nga Türkiye dhe Hungaria.


TRT Balkan / agjencitë