Shërbimi Federal i Sigurisë Ruse (FSB) njoftoi se shtetasi rus Yevgeniy Serebryakov, i cili u kap nën dyshimin se ishte i përfshirë në një sulm me bombë ndaj një automjeti të një oficeri ushtarak rus në veri të Moskës, u ekstradua nga Türkiye.
Në deklaratën e Shërbimit për media të inteligjencës ruse FSB thuhet se i dyshuari u kap në Bodrum, me punën e përbashkët të FSB-së me Ministrinë e Punëve të Brendshme ruse dhe me ndihmën e shërbimeve speciale dhe forcave të rendit të Republikës së Türkiyes.
"Yevgeniy Serebryakov, shtetas rus i lindur në vitin 1995, i cili ishte në listën e kërkimeve ndërkombëtare dhe ishte i përfshirë në një incident me bombë në veri të Moskës më 24 korrik 2024, u soll në Rusi më 26 korrik 2024", thuhet në deklaratë.
Në videon e ndarë me deklaratën, në marrjen në pyetje të parë të Serebryakovit, ai tha: "Kam kontaktuar në shkurt 2023 me inteligjencën ukrainase për të bashkëpunuar".
Shpërthimi ka ndodhur në një automjet të parkuar në Moskë, mëngjesin e 24 korrikut. Mësohet se brenda automjetit ishte oficeri ushtarak rus i cili u plagos nga shpërthimi.
Nga hetimet u konstatua se në ngjarje ishte i përfshirë shtetasi rus Yevgeniy Serebryakov, por u kuptua se i dyshuari në fjalë ka ikur me avion nga Moska në Bodrum të Türkiyes.