Irani e konsideron detyrë të hakmerret për vrasjen e Haniyes / Photo: AA

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka dënuar vrasjen e kreut të Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, duke thënë se Irani e konsideron si detyrë "të hakmerret për gjakun e mysafirit të dashur".

Deklarata erdhi disa orë pasi Haniyeh, i cili ishte në Teheran për të marrë pjesë në ceremoninë e betimit të presidentit iranian Masoud Pezeshkian, u vra në rezidencën e tij në kryeqytetin iranian në orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës.

Khamenei theksoi se "regjimi sionist kriminal dhe terrorist" ka përgatitur terrenin për "ndëshkim të ashpër për veten", duke shtuar se Irani e konsideron si "detyrë" të "hakmerret për gjakun" e liderit të Hamasit.

Ai e përshëndeti Haniyeh si "një udhëheqës trim dhe luftëtar të shquar palestinez", duke shtuar se fronti i rezistencës është "në zi".

“Regjimi kriminal dhe terrorist sionist martirizoi mysafirin tonë të dashur në shtëpinë tonë dhe na la në ‘zi’ por gjithashtu ka përgatitur terrenin për dënim të ashpër për veten e tij”, thuhet në njoftim.

Haniyeh së bashku me udhëheqësin e Xhihadit Islamik, Ziad Nakhaleh, ishin takuar me liderin suprem të Iranit në margjinat e ceremonisë së betimit të Pezeshkian të martën.

Në njoftim thuhet se Haniyeh ishte gjithmonë "gati për të rënë dëshmorë dhe kishte sakrifikuar fëmijët dhe të afërmit e tij në këtë rrugë", duke iu referuar vrasjes së familjes së tij të ngushtë në muajt e fundit në Gaza.

“Ne e konsiderojmë detyrën tonë të hakmerremi për gjakun e tij në këtë incident të hidhur dhe të vështirë që ndodhi në territorin e Republikës Islamike”, thuhet në njoftim. Sulmi thuhet se ndodhi në një bujtinë për veteranët e luftës të menaxhuar nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).

Ndërkohë, në njoftim IRGC-ja konfirmoi vrasjen e Haniyeh dhe një prej truprojave të tij.

Hamasi lëshoi ​​gjithashtu një deklaratë në të cilën u zotua se do të hakmerrej për vrasjen e liderit të saj, për të cilin tha se u vra në Teheran nga një "sulm tradhtar sionist".

Më herët, ushtria izraelite nuk pranoi të komentojë vrasjen e Haniyes, duke thënë, "Ne nuk i komentojmë këto raporte" në përgjigje të një hetimi të një korrespondenti të Anadolu-t.

Haniyeh u rizgjodh si kreu i Byrosë Politike të Hamasit në vitin 2021 për një mandat të dytë radhazi, i cili ishte planifikuar të përfundonte në 2025.

AA