Presidenti i Iranit Masoud Pezeshkian tha se sulmet me raketa ndaj Izraelit bazohen në "të drejtat legjitime të vetëmbrojtjes" së vendit, duke vënë në dukje se një "përgjigje vendimtare" iu dha "agresionit" të Izraelit.
Në një deklaratë të postuar në X të martën, Pezeshkian tha se aksioni ishte "në mbrojtje të interesave dhe qytetarëve të Iranit".
“Le ta dijë Netanyahu se Irani nuk është një shtet luftarak, por ai qëndron me vendosmëri kundër çdo kërcënimi. Ky është vetëm një cep i fuqisë sonë. Mos hyni në konflikt me Iranin”, thuhet në deklaratë.
Irani gjuajti qindra raketa balistike drejt Izraelit në mes të tensioneve të rritura midis rivalëve të mëdhenj.
Në një deklaratë, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRCG) tha se sulmi ishte në përgjigje të vrasjes së Ismail Haniyeh, Hassan Nasrallah dhe Abbas Nilforoshan.
Haniyeh, ish-udhëheqësi i Hamasit, u vra në Teheran në korrik. Nasrallah, ish-udhëheqësi i Hezbollahut, u vra në Bejrut të premten së bashku me komandantin e IRGC-së Nilforoshan.
IRGC tha se sulmi ishte në përputhje me të drejtën e vendit për vetëmbrojtje legjitime sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara, duke paralajmëruar se nëse Izraeli i përgjigjet këtij sulmi, ai do të përballet me më shumë "përgjigje shaktërruese".
Në një deklaratë pasuese, IRGC-ja tha se tri baza ushtarake izraelite në Tel Aviv u goditën nga raketa.
Ende nuk dihet nëse raketat kanë goditur objektivat e tyre dhe nëse ka pasur viktima apo dëme.
Misioni iranian në Kombet e Bashkuara lëshoi gjithashtu një deklaratë, duke thënë se sulmi me raketa ishte një përgjigje "ligjore, racionale dhe legjitime" ndaj "akteve terroriste" të Izraelit.
Ndërkohë, Jafar Yazerlu, zëdhënës i Organizatës së Aviacionit Civil të Iranit, njoftoi se të gjitha fluturimet në vend janë anuluar deri në orën 10:00 të mëngjesit (0630 GMT) nesër për arsye të sigurisë së fluturimeve.