Islamofobia në Gjermani: Myslimanët nuk denoncojnë shkaku i mosbesimit.     /Foto: AA 

Retorika politike nxit mosbesimin mes myslimanëve dhe rrit armiqësinë antimyslimane, thotë kreu i Këshillit Islamik për Republikën Federale të Gjermanisë.

Numri i sulmeve të paraportuara islamofobike në Gjermani po bëhet shumë më i lartë për shkak të një mosbesimi në rritje ndaj autoriteteve, ka paralajmëruar një udhëheqës i komunitetit mysliman në kryeqytetin Berlin.

Në 90 ditët e para të vitit 2023 pati 124 sulme ndaj myslimanëve dhe xhamive në gjithë Gjermaninë, një mesatare alarmante prej më shumë se një sulmi në ditë, sipas shifrave të zbuluara gjatë një sesioni parlamentar me pyetje dhe përgjigje muajin e kaluar.

Numrat përfshijnë raste të frikësimit, si dhe vandalizmit e dëmtimit të pronave të tjera.

Pati dy sulme me zjarrvënie në xhami në qytetet e Hanoverit dhe Dresdenit në maj, duke shkaktuar thirrje të reja për masa më të rrepta për të mbrojtur komunitetin mysliman.

"Numri i sulmeve kundër xhamive është rritur në muajt e fundit ... dhe ne supozojmë se numri i rasteve të paraportuara është shumë më i lartë”, tha për Anadolu Burhan Kesici, kryetar i Këshillit Islamik për Republikën Federale të Gjermanisë.

“Shumë myslimanë nuk raportojnë incidente të islamofobisë sepse akte të tilla nuk janë të përcaktuara qartë ose sepse nuk u besojnë autoriteteve. Pra, supozojmë se numri i rasteve të paraportuara është shumë më i lartë.”

Një problem tjetër që vuri në dukje Kesici është se "ndonjëherë sulmet kundër xhamive nuk renditen nën kategorinë e sulmeve islamofobike".

“Ato janë të regjistruara në kategori të tjera, për shembull si sulme vetëm me zjarrvënie, kështu që duhet të shikohen më nga afër këto statistika,” tha ai.

Kritika apo armiqësi antimyslimane?

Pas Francës, Gjermania ka popullsinë e dytë më të madhe myslimane në Evropën Perëndimore. Vendi me mbi 84 milionë banorë është vatër e afro 5 milionë myslimanëve, sipas shifrave zyrtare.

Të dhënat për vitin 2022 tregojnë se policia gjermane regjistroi të paktën 610 krime islamofobike të urrejtjes, duke përfshirë sulme në 62 xhami, midis janarit dhe dhjetorit, me të paktën 39 persona të plagosur në dhunën antimyslimane.

Në vitin 2021 kishte të paktën 662 krime islamofobike, duke përfshirë sulme në rreth 46 xhami dhe të paktën 17 persona u plagosën.

Shifrat e Ministrisë së Brendshme për vitin 2020 treguan se më shumë se 900 krime islamofobike të urrejtjes u regjistruan në gjithë Gjermaninë atë vit, me rreth 80 xhami të sulmuara dhe të paktën 48 të plagosur.

Sulmet u kryen kryesisht nga grupe neonaziste dhe ekstremiste të krahut të djathtë, sipas policisë.

Kërcënimi në rritje i islamofobisë në Gjermani lidhet gjithashtu me një rritje të mbështetjes për forcat politike të ekstremit të djathtë.

Një sondazh i ri javën e kaluar vendosi partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) në vendin e dytë, përpara Socialdemokratëve të kancelarit Olaf Scholz për herë të parë që nga zgjedhjet e vitit 2021.

Në një mjedis të tillë, komentet e urrejtjes nga politikanët po nxisin më tej armiqësinë antimyslimane në Gjermani, pohoi Kesici.

“Nuk mendoj se autoritetet po bëjnë mjaftueshëm (kundër islamofobisë). Ata duhet të japin një mesazh duke nënvizuar se myslimanët i përkasin këtij vendi dhe pasurojnë shoqërinë tonë. Ata duhet të ndërmarrin veprime më të forta kundër armiqësisë antimyslimane”, tha ai.

Në një konferencë dhjetorin e kaluar, ministrja e Brendshme gjermane Nancy Faeser premtoi pikërisht këtë, duke u zotuar për masa të vendosura për të luftuar islamofobinë.

Duke folur në Konferencën Gjermane të Islamit, një forum për dialogun midis autoriteteve dhe përfaqësuesve të komunitetit mysliman, ajo pranoi se "shumë njerëz përballen me racizëm çdo ditë në Gjermani".

“Myslimanët përjetojnë racizëm të dyfishtë. Ata shpesh po përballen me armiqësi dhe refuzim si anëtarë të fesë islame, por edhe si njerëz me prejardhje imigrimi”, tha ajo.

Kesici tha se komuniteti mysliman pret që "politikanët të kundërshtojnë ndjenjat islamofobike në radhë të parë".

“Nëse dikush fillon të përhapë urrejtje antimyslimane, duhet të ndërhyhet dhe ta kundërshtojë këtë. Por, për fat të keq, ajo që ne shohim është se në politikë, dhe gjithashtu në shoqëri, ajo që shpesh paraqitet si ‘kritikë ndaj Islamit’ është në të vërtetë armiqësi antimyslimane”, tha ai.

TRT Balkan / agjencitë