Italia: Sulmet ndaj civilëve të Gazës “nuk mund të justifikohen më” / Photo: AA

Ministri italian i Mbrojtjes Guido Crosetto tha se sulmet kundër civilëve palestinezë në Gaza "nuk mund të justifikohen më".

"Ka një situatë gjithnjë e më të vështirë, në të cilën populli palestinez po shtrydhet pa marrë parasysh të drejtat e burrave, grave dhe fëmijëve të pafajshëm që nuk kanë asnjë lidhje me Hamasin dhe kjo nuk mund të justifikohet më," u shpreh ai për TV italian SkyTG24.

“Ne të gjithë jemi të bindur se pas sulmit frikacak të Hamasit Izraeli duhej ta zgjidhte problemin”, tha Crosetto.

“Megjithatë, që nga dita e parë ne të gjithë thamë se sulmi duhej të ndodhte në një mënyrë tjetër, për të ndaluar sulmin në Rafah dhe ne nuk jemi dëgjuar. Tani ne e shikojmë situatën me dëshpërim”, shtoi ai.

Ministri tha gjithashtu se Italia po përpiqet të ndihmojë popullsinë civile të Rripit të Gazës me ndihma humanitare. Gjatë fundjavës, Roma raportoi më shumë ndihmë për Gazën, pasi kryeministri Giorgia Meloni u takua me homologun e saj palestinez Mohammad Mustafa të shtunën.

Për këtë qëllim, Italia ka caktuar 35 milionë euro (38 milionë dollarë) financime të reja për civilët palestinezë, nga të cilat 5 milionë euro do të shkojnë për agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA), sipas mediave italiane.

“Tani, ne po ndihmojmë njerëzit në vështirësi. Por, nuk mjafton. Kam përshtypjen se me këtë zgjedhje Izraeli po mbjell urrejtje, e cila do të përfshijë fëmijët dhe nipërit e tij”, deklaroi Crosetto.

“Do të kisha preferuar një zgjedhje tjetër, madje duke kuptuar të gjitha arsyet e tyre. Hamasi është një gjë dhe populli palestinez është një gjë tjetër”, shtoi ai.

AA