Ushtria izraelite bastisi qytetin Jenin në Bregun Perëndimor nën pushtim dhe rrethoi kampin e refugjatëve Jenin.
Sipas informacionve të siguruara nga dëshmitarët, ushtria izraelite kreu bastisje në qytetin Jenin si dhe kreu kontrolle ndaj shtëpive dhe bizneseve të palestinezëve.
Ndërkohë, u shënuan përleshje mes popullatës së zonës dhe ushtarëve izraelitë të cilët arrestuan të paktën një palestinez në Jenin. Ushtarët izraelitë përdorën plumba të vërtetë ndaj palestinezëve të cilët hodhën gurë duke kundërshtuar bastisjen dhe arrestimet.
Burimet nga fusha e shëndetësisë thanë për gazetarin e AA-së se të paktën një palestinez është plagosur dhe është dërguar në spital për trajtim. Buldozerët e ushtrisë izraelite dëmtuan rrugët përreth kampit të refugjatëve Jenin. Po ashtu ushtria izraelite dërgoi forca përforcuese përreth kampit dhe e vendosi kampin nën rrethim.
Në orët e para të ditës, ushtria izraelite kreu bastisje në shumë qytete të Bregut Perëndimor nën pushtim dhe arrestoi shumë palestinezë. Ndërkohë, ende nuk është bërë ndonjë deklaratë zyrtare lidhur me numrin e të arrestuarve.
Që kur Izraeli filloi sulmet në Rripin e Gazës nga 7 tetori 2023 e deri më tani, ka pasur rritje të arrestimeve, bastisjeve dhe sulmeve kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor.
Ministria palestineze e Shëndetësisë ka njoftuar se që nga 7 tetori 2023 e deri më tani në sulmet e ushtarëve izraelitë dhe izraelitëve që grabisin tokat e palestinezëve, në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor nën pushtim janë vrarë 543 palestinezë.