Izraeli bombardon 75 objektiva në Liban.    /Foto: Reuters

Pavarësisht thirrjes ndërkombëtare për një armëpushim të përkohshëm mes Izraelit dhe Hezbollahut, ushtria izraelite njoftoi se gjatë natës ka goditur rreth 75 objektiva në Liban. Ushtria izraelite tha se avionët luftarakë goditën ato që, siç i quajti, depo të armëve të Hezbollahut, raketahedhës dhe infrastrukturë, si dhe ndërtesa të tjera ushtarake të përdorura nga anëtarët e grupit libanez.

Ushtria u zotua se do të vazhdojë sulmet ajrore në Liban për të shkatërruar ato që ajo i quajti aftësitë e Hezbollahut.

Sulmet izraelite erdhën pavarësisht thirrjes së djeshme nga ShBA-ja, Bashkimi Evropian (BE) dhe nëntë vende të tjera për Izraelin dhe Hezbollahun që të bien dakord për një armëpushim 21-ditor për t’i "siguruar hapësirë diplomacisë".

Izraeli ka goditur disa zona në Liban që nga mëngjesi i së hënës në mes të një përshkallëzimi të luftës ndërkufitare me Hezbollahun. Sipas shifrave të Ministrisë së Shëndetësisë, të paktën 610 persona janë vrarë që atëherë dhe mbi 2 mijë të tjerë janë plagosur.

Hezbollahu dhe Izraeli janë përfshirë në një përleshje ndërkufitare që nga fillimi i luftës izraelite në Rripin e Gazës, e cila ka vrarë të paktën 41.500 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë.

Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar kundër sulmeve në Liban, pasi ato ngjallin spektrin e përhapjes së konfliktit të Gazës në rajon.

TRT Balkan / agjencitë