Izraeli dhe Hezbollah shkëmbejnë sulme pavarësisht tentimeve për armëpushim / Photo: AA Archive

Izraeli dhe grupi libanez Hezbollah kanë shkëmbyer sulme përtej kufirit, ndërkohë që SHBA po përpiqet të arrijë një marrëveshje armëpushimi për t’i dhënë fund më shumë se një viti luftimesh midis dy palëve.

Ushtria izraelite kreu të paktën shtatë sulme ajrore në periferinë jugore të Bejrutit të dielën mbrëma, në bombardimin më të ashpër që nga shpërthimi i konfliktit vitin e kaluar, njoftoi media shtetërore libaneze.

Agjencia shtetërore e lajmeve NNA raportoi gjithashtu për sulme ajrore izraelite në krahinën qendrore të Libanit, Mount Lebanon. Shtylla tymi u panë duke u ngritur nga zona, por ende nuk ka informacione për viktima ose dëme.

Sulmet pasuan urdhërat e evakuimit të Izraelit për civilët në 12 ndërtesa në disa lagje të jugut të Bejrutit, duke përfshirë Haret Hreik, Choueifat, Ghobeiry, Bir al-Abed dhe Moawad.

Të dielën, lideri i opozitës izraelite, Benny Gantz, i bëri thirrje qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu që të bombardojë objektet qeveritare në Bejrut.

Nga ana tjetër, Hezbollah deklaroi se kishte kryer 49 sulme kundër caqeve izraelite të dielën, duke shënuar numrin më të lartë të sulmeve brenda një dite që nga fillimi i luftimeve në tetor të vitit të kaluar.

Mediat izraelite raportuan se rreth 250 raketa u lëshuan nga Hezbollah në qendër dhe veri të Izraelit të dielën. Grupi libanez tha se sulmet e tyre kishin në shënjestër vendbanimet izraelite, bazat ushtarake dhe dislokimet e trupave në veri të Izraelit dhe jug të Libanit.

Në një nga sulmet, Hezbollah tha se goditi me raketa të avancuara bazën detare izraelite të Haifës në veri të Izraelit.

Përshkallëzimi ndodhi ndërsa i dërguari amerikan Amos Hochstein kërcënoi të dielën të tërhiqet nga përpjekjet e ndërmjetësimit për një marrëveshje armëpushimi midis Izraelit dhe Libanit nëse Tel Avivi nuk e pranon një propozim amerikan, sipas mediave izraelite.

Hochstein informoi ambasadorin e Izraelit në SHBA, Michael Herzog, se nëse Tel Avivi nuk i përgjigjet pozitivisht propozimit amerikan për armëpushim me Libanin, Uashingtoni do të tërhiqet nga procesi i ndërmjetësimit, raportoi Kanali 13 i Izraelit.

Netanyahu ka kërkuar lirinë për të kryer operacione ushtarake në jug të Libanit në çdo marrëveshje armëpushimi me Hezbollah, një kusht i refuzuar nga Libani.

Izraeli ka intensifikuar sulmet ajrore në Liban kundër asaj që pretendon se janë objektiva të Hezbollahut si pjesë e luftës njëvjeçare me grupin libanez që nga fillimi i luftës në Gaza vitin e kaluar.

Më shumë se 3,600 persona janë vrarë nga sulmet izraelite në Liban, me mbi 15,300 të plagosur dhe mbi 1 milion të zhvendosur që nga tetori i vitit të kaluar, sipas autoriteteve shëndetësore libaneze.

Izraeli e zgjeroi konfliktin duke nisur një sulm tokësor në jug të Libanit më 1 tetor të këtij viti.

TRT Balkan / agjencitë