Kabineti izraelit i Sigurisë dhe qeveria do të takohen herët të enjten për ta miratuar marrëveshjen me Hamasin për shkëmbimin e pengjeve dhe armëpushimin në Rripin e Gazës, njoftoi autoriteti izraelit i transmetimeve.
Ministrat e kabinetit janë ftuar në një takim në orën 11:00 me kohën lokale, njoftoi radioja e ushtrisë izraelite.
Radioja shtoi se pas takimit, qeveria e plotë është planifikuar të mblidhet për ta miratuar marrëveshjen.
Gazeta “Maariv” citoi një “ministër të lartë” të paidentifikuar të ketë thënë: “Ka një shumicë të madhe në favor të marrëveshjes brenda kabinetit dhe qeverisë”.
Presidenti i sapozgjedhur amerikan, Donald Trump, të mërkurën njoftoi se është arritur një marrëveshje për pengjet në Gaza, mes raportimeve se Izraeli dhe Hamasi kanë rënë dakord për një armëpushim.
"Kemi një marrëveshje për pengjet në Lindjen e Mesme. Ata do të lirohen së shpejti," deklaroi Trump në Truth Social.
Më herët, grupi palestinez i rezistencës, Hamas, njoftoi se i ka dorëzuar zyrtarisht përgjigjen e tij ndërmjetësuesve, Egjiptit dhe Katarit, për marrëveshjen e propozuar të armëpushimit me Izraelin.
Deklarata erdhi pas një takimi urgjent të Byrosë Politike të Hamasit, ku u diskutua propozimi.