Izraeli fshehu vrasjen e gabuar të tre robërve izraelitë në dhjetor / Photo: AA

Ushtria izraelite vrau gabimisht tre robër izraelitë, përfshirë dy ushtarë, gjatë një bastisjeje në Gaza në dhjetor, ndërsa këtë e fshehu nga opinioni.

Mediat lokale izraelite, përfshirë "Channel 12", njoftuan se tre robërit izraelitë: Nik Beizer, Ron Sherman dhe Elia Toledano, u vranë në një sulm ajror izraelit që synonte një udhëheqës të lartë ushtarak të grupit palestinez Hamas në pjesën veriore të Gazës.

Sipas kanalit, ushtria izraelite nuk e dinte se kishte robër izraelitë të pranishëm së bashku me liderin e Hamasit. Megjithatë, detajet e vdekjes së robërve izraelitë i mësoi që nga shkurti, por zgjodhi të mos i publikonte.

Në mes të dhjetorit, ushtria tha se kishte marrë trupat e tre izraelitëve nga një tunel, të cilët u kapën të gjallë nga Hamasi më 7 tetor të vitit të kaluar.

Duke komentuar raportin, zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari tha se ushtria po vazhdon të hetojë rrethanat që lidhen me vdekjen e tre izraelitëve dhe do t'ua prezantojë rezultatet familjeve të tyre.

Incidente të ngjashme të vrasjes së robërve izraelitë u njoftuan nga ushtria gjatë bombardimeve të saj shkatërruese në gjithë Rripin e Gazës që nga 7 tetori. Izraeli vlerëson se mbi 100 pengje mbahen ende nga Hamasi në Gaza, disa prej të cilëve besohet se tashmë janë vrarë.

Sipas autoriteteve lokale shëndetësore, në luftën e vazhdueshme të Izraelit në Rripin e Gazës janë vrarë rreth 41.100 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe janë plagosur rreth 94.800 të tjerë.

Bllokada e vazhdueshme e enklavës ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, duke lënë pjesën më të madhe të rajonit në gërmadha. Izraeli përballet me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për veprimet e tij në Gaza.

AA