Izraeli informoi zyrtarisht OKB-në të dielën për vendimin e tij për t'u tërhequr nga një marrëveshje me Agjencinë e OKB-së për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA), duke përmendur "shqetësimet e sigurisë".
Ministria e Jashtme e Izraelit nëpërmjet një letre dërguar presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Philemon Yang, deklaroi se tërheqja lidhet me marrëveshjen e vitit 1967 në lidhje me operacionet e UNRWA-së në mbështetje të refugjatëve palestinezë.
Tërheqja pritet të hyjë në fuqi pas një periudhe tranzicioni tremujor. Izraeli informoi po ashtu se do të vazhdojë të bashkëpunojë me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë agjencitë e tjera të OKB-së, për të siguruar që ndihma humanitare të arrijë civilët në Gaza.
Megjithatë, ministria theksoi rëndësinë e ruajtjes së sigurisë së Izraelit, duke sinjalizuar se lehtësimi i ndihmës nuk duhet të rrezikojë sigurinë e tij. Gjithashtu, thuhet se Izraeli pret që OKB-ja të kontribuojnë në këto përpjekje, duke përafruar mbështetjen humanitare me nevojat e sigurisë rajonale.
Letra iu dorëzua edhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.
Ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, gjithashtu shkroi në X: "Pavarësisht provave që ne dorëzuam në OKB që vërtetojnë infiltrimin e Hamasit në UNRWA, OKB-ja nuk bëri asgjë për të korrigjuar situatën".
"Shteti i Izraelit do të vazhdojë të bashkëpunojë me organizatat humanitare, por jo me organizatat që promovojnë terrorizmin kundër nesh", tha Danon.