Ushtria izraelite bëri paralajmërim evakuimi ndaj banorëve të pesë lagjeve në qytetin Khan Younis në jug të Rripit të Gazës. Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, në një deklaratë nga llogaria e tij në X me pretendimin se ndaj Izraelit është lëshuar raketë, kërkoi nga banorët e pesë lagjeve në veri të Khan Younis që t'i evakuojnë menjëherë zonat e tyre dhe të shkojnë në vende për të cilat ai thotë se janë "humanitare dhe të sigurta".
Në deklaratë thuhet se këto zona do të goditen me pretendimin se nga zonat në fjalë janë kryer sulme kundër Izraelit.
Tri nga lagjet, për të cilat ushtria ka kërkuar evakuimin dhe ka kërcënuar me sulm, janë në mesin e zonave që Izraeli i ka shpallur si "humanitare dhe të sigurta" dhe në këto zona strehohen mijëra palestinezë.