Izraeli kreu 110 shkelje ndaj mediave palestineze në janar, vrau shtatë gazetarë. / Foto: AA

Në muajin janar u regjistruan të paktën 110 shkelje izraelite kundër mediave dhe gazetarëve palestinezë në Gaza dhe Bregun Perëndimor të pushtuar.

Në një deklaratë të publikuar mbrëmë vonë, Sindikata e Gazetarëve Palestinezë tha se shkeljet e ushtrisë izraelite kundër gazetarëve palestinezë dhe mediave në Gaza dhe Bregun Perëndimor u përshkallëzuan në janar, përfshirë vrasjen e shtatë gazetarëve në Gaza dhe plagosjen e gjashtë të tjerëve.

Ushtria izraelite ka arrestuar tre gazetarë palestinezë nga Bregu Perëndimor, ka marrë në pyetje dy dhe ka sulmuar fizikisht tre të tjerë, thuhet gjithashtu në deklaratë.

Sipas sindikatës, 17 gazetarë u asfiksuan nga gazi lotsjellës izraelit apo vuajtën nga shok-bombat gjatë kryerjes së detyrës ndërsa 40 të tjerë u penguan nga kryerja e detyrës në të gjithë Bregun Perëndimor.

Sindikata e Gazetarëve Palestinezë theksoi se është në kontakt me grupet e gazetarëve në shtetet tjera arabe dhe grupet ndërkombëtare, për t'i ekspozuar krimet e Izraelit kundër gazetarëve palestinezë dhe për të gjetur mënyra për t'i mbrojtur ata nga sulmet izraelite.

Gjatë viteve të fundit, ushtria izraelite ka kryer bastisje të rregullta në Bregun Perëndimor të pushtuar, të cilat janë përshkallëzuar me fillimin e luftës në Gaza më 7 tetor 2023. Palestinezët gjithashtu janë sulmuar dhunshëm nga kolonët e paligjshëm izraelitë.

TRT Balkan / agjencitë