Izraeli: Libanezët të mos kthehen në 62 vendbanime në jug të Libanit.       Foto: AA

Ushtria izraelite ka përsëritur paralajmërimin e saj drejtuar popullit libanez që të mos kthehet në 62 vendbanime në jug të Libanit.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, në llogarinë e tij në rrjetet sociale paralajmëroi të zhvendosurit në jug të Libanit të mos kthehen në zonat ku jetojnë.

Adraee, i cili dha emrat e 62 vendbanimeve në kufirin e Libanit me Izraelin, kërkoi nga banorët të mos shkojnë në këto zona deri në një njoftim tjetër. Ai tha se ata që lëvizin në jug të rajonit në hartën që ai publikoi mund të jenë në shënjestër.

Marrëveshja e armëpushimit e arritur mes Libanit dhe Izraelit ka hyrë në fuqi më 27 nëntor, në orën 04:00 sipas kohës lokale.

Në marrëveshje thuhet se "Qeveria libaneze do të parandalojë Hezbollahun ose çdo grup tjetër të armatosur të vendosur në territorin libanez nga kryerja e ndonjë operacioni kundër Izraelit ndërsa Izraeli nuk do të nisë asnjë sulm ushtarak nga toka, deti ose ajri kundër objektivave civile, ushtarake ose shtetërore në Liban".

Sipas marrëveshjes, ushtria libaneze pritet të vendoset gradualisht në rajonet e pushtuara nga Izraeli në jug të Libanit brenda 60 ditëve. Përpjekjet e ushtrisë libaneze për t'i pastruar municionet e pashpërthyera të luftës në jug të vendit vazhdojnë.

Nga ana tjetër, Izraeli shpesh shkel marrëveshjen e armëpushimit duke kryer sulme dhe duke synuar shtëpi në jug të Libanit.

TRT Balkan / agjencitë