Parlamenti izraelit (Knesset) ka miratuar një projektligj që parashikon ndalimin e aktiviteteve të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara (OKB) për ndihmë për refugjatët palestinezë në Lindjen e Mesme (UNRWA) në Izrael.
Gjatë votimit në Knesset, gjithsej 92 nga 120 deputetë votuan pro projektligjit për ndalimin e aktiviteteve të UNRWA-s në Izrael, ndërsa dhjetë ishin kundër.
Ushtria izraelite ka vrarë 231 punonjës të UNRWA-s në sulmet ndaj Rripit të Gazës, që nga 7 tetori 2023.
Qeveria izraelite ka nisur një fushatë shpifjeje kundër UNRWA-s, njëkohësisht me fillimin e sulmeve në Rripin e Gazës më 7 tetor 2023, duke pretenduar se agjencia duhet të mbyllet me pretekstin se 14 punonjës të UNRWA-s, e cila ka 12 mijë të punësuar vetëm në Gaza, "merrnin pjesë në sulmet e 7 tetorit".
Duke shkelur rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) që kërkon armëpushim të menjëhershëm, Izraeli ka vazhduar ofensivën e tij brutale në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit të kaluar.
Që atëherë janë vrarë më shumë se 43.000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe më shumë se 101.100 janë plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.
Sulmi izraelit ka zhvendosur pothuajse të gjithë popullsinë e territorit mes një bllokade që ka çuar në mungesë të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli gjithashtu po përballet me padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për veprimet e tij në Gaza.