Ushtria izraelite ka nisur fazën e dytë të operacionit tokësor në Libanin jugor, për të cilin ushtria thotë se përfshin përparimin drejt vijës së dytë të mbrojtjes së Hezbollahut.
Siç raporton e përditshmja izraelite ‘Maariv’, ushtria izraelite ka nisur “fazën e dytë të manovrës tokësore në Libanin jugor, me Divizionin e 36-të që përparon drejt vijës së dytë mbrojtëse të Hezbollahut”.
Divizioni i 36-të është një divizion me forca të blinduara dhe është më i madhi midis formacioneve ushtarake izraelite.
Sipas të përditshmes izraelite, forcat e këtij divizioni u përfshinë në operacionin e ri në Libanin jugor, duke përfshirë Brigadën Golani, Brigadën e Parashutistëve dhe Brigadën e Blinduar 188, me inxhinierë luftarak që punojnë përkrah tyre.
E përditshmja po ashtu tha se qëllimi i këtij operacioni është “çmontimi i formacioneve të Hezbollahut në zonë dhe ushtrimi i presionit ndaj Hezbollahut në lidhje me negociatat për zgjidhjen politike në Liban”.
Izraeli ka përshkallëzuar fushatën ajrore në Liban që nga fundi i shtatorit kundër atyre që pretendon se janë objektiva të Hezbollahut, në një përshkallëzim nga lufta ndërkufitare 1-vjeçare midis Izraelit dhe grupi libanez që nga fillimi i ofensivës brutale izraelite ndaj Rripit të Gazës më 7 tetor të vitit 2023.
Sipas autoriteteve shëndetësore libaneze, pothuajse 3.300 njerëz janë vrarë dhe mbi 14.200 të tjerë janë plagosur.
Më 1 tetor, Izraeli e zgjeroi konfliktin duke nisur një inkursion në Libanin jugor.