Një skenar i pasluftës në Gaza ka dalë në dritë, sipas të cilit ushtria izraelite mund të ndajë territorin e drejtuar nga Hamasi në zona të sunduara nga fise ose klane dhe jo nga një entitet të vetëm politik.
Sipas transmetuesit publik KAN, plani është hartuar nga ushtria izraelite dhe pritet të paraqitet në kabinet të martën. Ai parashikon që Rripi i Gazës të ndahet në rajone dhe nënrajone, ku Izraeli do të komunikonte veçmas me secilin grup për çështje që përfshijnë shpërndarjen e ndihmës humanitare.
Skema e propozuar mund të shtrihet edhe në Bregun Perëndimor dhe rekomandon ndarjen e territoreve në emirate, ndërsa Izraeli parashikohet të mbajë kontrollin e sigurisë.
Tel Avivi ende nuk ka komentuar mbi raportimin, por kryeministri Benjamin Netanyahu ka thënë në disa raste se ai nuk do të lejojë Autoritetin Palestinez, i cili kontrollon Bregun Perëndimor të pushtuar, të ketë ndonjë rol në qeverisjen e Gazës në periudhën e pasluftës.
Qëndrimi bie ndesh me qëndrimin e ShBA-së, e cila ka sugjeruar që Autoriteti Palestinez duhet të sundojë mbi Gazën pas përfundimit të konfliktit, i cili filloi pas ofensivës ndërkufitare të 7 tetorit nga Hamasi.
Sulmet izraelite kanë vrarë rreth 22 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe e kanë lënë territorin e rrethuar në gërmadha, pasi shumica e infrastrukturës së tij është shkatërruar ose dëmtuar.
Sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë, deri në 1,9 milion njerëz, ose mbi 85 për qind e popullsisë, janë zhvendosur në gjithë Rripin e Gazës.