Ushtria izraelite bombardoi disa qendra shëndetësore në veri të Rripit të Gazës dhe detyroi evakuimin e disa qendrave shëndetësore.
Dëshmitarët njoftuan se ushtarët izraelitë përparuan me automjete të blinduara rreth spitalit indonezian në lindje të kampit të refugjatëve Jabalia dhe hapën zjarr në zonë me sulme ajrore intensive.
Personeli mjekësor, pacientët dhe refugjatët që qëndronin në spitalin në të cilin nuk ofrohej shërbim, u detyruan të evakuohen nën zjarrin intensiv dhe u drejtuan në qendër të qytetit të Gazës.
Tanket izraelite bombarduan pjesë të ndryshme të Beit Lahias dhe rrethinat e spitalit "Kamal Adwan". Ndërkohë janë shkatërruar ndërtesat dhe infrastruktura përreth spitalit "Kamal Adwan", i cili prej javësh është nën rrethim.
Spitali "Al-Awda" në veri të Gazës u bombardua gjithashtu nga artileria izraelite. Drejtoria e spitalit njoftoi se zonat përreth janë nën sulme të rënda ajrore dhe se sulmet kanë shkaktuar djegien e shtëpive përreth.
Sulmet e ushtrisë izraelite në veri të Gazës që nga 5 tetori kanë bërë që tri spitalet kryesore në rajon të mos funksionojnë. Edhe pse spitali "Kamal Adwan" përpiqet të ofrojë nivel minimal të kujdesit shëndetësor, mungesa e barnave dhe furnizimeve mjekësore pengon shumë shërbimet.
Plani i Izraelit për ta "shkatërruar" veriun e Gazës
Ushtria izraelite zhvendos me forcë palestinezët në rajon duke lëshuar shpesh "urdhra evakuimi" për shumë rajone, veçanërisht në veri të Rripit të Gazës. Me urdhrat e evakuimit që ka lëshuar posaçërisht për veriun po bëhen komentet se Izraeli po përpiqet të zbatojë planin e quajtur "Plani i Gjeneralëve".
"Plani i Gjeneralëve" parashikon dëbimin e palestinezëve nga veriu i Rripit të Gazës, më pas rrethimin e zonës dhe ndalimin e hyrjes së ushqimit, karburantit dhe ujit të pastër në zonë.
Gjithashtu, plani përfshin që luftëtarët e rezistencës së armatosur të detyrohen të zgjedhin midis "vdekjes ose dorëzimit" dhe "trajtimin si elementë armik" të palestinezëve që nuk largohen ose nuk mund të largohen nga rajoni.
Në sulmet e ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 janë vrarë 45.259 palestinezë, përfshirë 17.492 fëmijë dhe 11.979 gra, ndërsa 107.627 persona të tjerë u plagosën.
Nën rrënoja ende ka mijëra të vdekur ndërsa po shkatërrohet infrastruktura civile duke synuar spitalet dhe institucionet arsimore ku janë strehuar njerëzit.