Autoritetet izraelite kanë kthyer një adoleshent palestinez në burg pasi ai u lirua si pjesë e një marrëveshjeje të shkëmbimit të të burgosurve në fund të nëntorit, njoftoi të martën Shoqata e të Burgosurve Palestinez.
"Autoritetet okupuese izraelite sot përsëri e arrestuan adoleshentin Yousef Abdullah al-Khatib (17) nga qyteti i Jerikos në Bregun Perëndimor", thuhet në njoftimin Shoqatës së të Burgosurve Palestinezë, duke shtuar se al-Khatib ishte thirrur nga inteligjenca izraelite dhe u detyrua të dorëzohej.
Ky është arrestimi i parë i një palestinezi të liruar në një shkëmbim të burgosurish midis Izraelit dhe grupit Hamas me bazë në Gaza.
Në njoftimin e shoqatës po ashtu thuhet se arrestimi i al-Khatib "është një shkelje e qartë e marrëveshjes dhe një tregues se Izraeli po rinovon politikën e tij të riarrestimit të të burgosurve të liruar sipas marrëveshjeve të shkëmbimit".
Mes të tjerash, ata theksojnë al-Khatib u arrestua pa akuza ose gjyq sipas politikës së ndalimit administrativ të Izraelit dhe u lirua më 27 nëntor.
Shoqata e të Burgosurve Palestinezë i bëri thirrje Katarit dhe Egjiptit që të ushtrojnë presion mbi autoritetet izraelite për të mos arrestuar sërish të burgosurit e liruar dhe për t'i dhënë fund persekutimit të tyre.
Një marrëveshje midis Hamasit dhe Izraelit në nëntor liroi 81 izraelitë dhe 24 të huaj në këmbim të 240 palestinezëve, duke përfshirë 71 gra dhe 169 fëmijë.
Izraeli nisi një ofensivë vdekjeprurëse në Rripin e Gazës pas një sulmi të Hamasit më 7 tetor, i cili vrau të paktën 25.490 palestinezë dhe plagosi 63.354. Rreth 1.200 izraelitë besohet se janë vrarë në sulmin e Hamasit.
Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, për shkak të ofensivës izraelite, 85 për qind e popullsisë së Gazës është zhvendosur brenda vendit dhe përballet me mungesë akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.