Ushtria izraelite intensifikoi të hënën sulmet në jug të Libanit, një ditë para afatit për tërheqjen e forcave të saj nga zona.
Forcat izraelite kanë hyrë thellë në qendër të qytetit Kfarchoub, ku janë stacionuar njësitë e ushtrisë libaneze, njoftoi agjencia shtetërore libaneze e lajmeve NNA.
Ushtria izraelite nisi gjithashtu një operacion të kombinuar në qytetin Mahlat al-Sawwan, në Libanin jugor.
Operacioni tokësor erdhi një ditë pasi avionët luftarakë izraelitë shënjestruan pozicione të supozuara të Hezbollahut.
Transmetuesi publik izraelit KAN raportoi se sulmet izraelite përkoi me një fjalim të së dielës nga Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut, Naim Qassem, i cili tha se Izraeli duhet të tërhiqet plotësisht nga Libani deri më 18 shkurt.
"Afati i 18 shkurtit po afron dhe ushtria pushtuese duhet të tërhiqet plotësisht nga Libani jugor. Ata nuk duhet të kenë asnjë pozicion apo prani këtu", tha Qassem.
Një armëpushim i brishtë në Liban ka qenë në fuqi që nga 27 nëntori i vitit të kaluar, duke u dhënë fund muajve të bombardimeve të ndërsjella që u përshkallëzuan në konflikt të hapur në fund të shtatorit.
Izraeli e ka shkelur marrëveshjen më shumë se 1.000 herë, duke vrarë dhe plagosur dhjetëra libanezë, duke përfshirë gra dhe fëmijë.
Izraeli duhej të largohej nga Libani jugor deri më 26 janar, por afati u shty deri nesër për shkak të refuzimit të Izraelit për ta respektuar marrëveshjen.
Zyrtarët libanezë thanë të enjten se kishin refuzuar një kërkesë izraelite për të qëndruar në pesë lokacione në Libanin jugor pas afatit.