Të paktën dy palestinezë kanë humbur jetën dhe 64 të tjerë janë plagosur në sulmet që ushtarët izraelitë kanë kryer në disa qyteza dhe fshatra në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Sipas deklaratës së Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, dy palestinezë humbën jetën dhe tre të tjerë u plagosën në sulmet që ushtarët izraelitë kryen në kampin e refugjatëve Jenin në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Ushtarët konfiskuan trupat e palestinezëve të vrarë.
Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze njoftoi se ushtarët izraelitë kanë ndërhyrë ndaj grupit që erdhi para burgut ushtarak Ofer në Bregun Perëndimor për të pritur palestinezët që u liruan gjatë shkëmbimit të pengjeve.
Në njoftim theksohet se ekipet e Gjysmëhënës së Kuqe trajtuan në vendin e ngjarjes 61 persona të plagosur në sulme.
Që nga 7 tetori 2023, kur Izraeli me mbështetjen e ShBA-së filloi sulmet ndaj Rripit të Gazës ka pasur rritje të arrestimeve, bastisjeve dhe sulmeve kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.
Në periudhën në fjalë, të paktën 880 palestinezë janë vrarë në sulmet e ushtarëve izraelitë dhe izraelitëve që kanë uzurpuar tokat palestineze në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor.