Ushtria ka filluar të dislokohet në zonat e prekura nga tërmetet shkatërruese për operacionet e shpëtimit dhe të ndihmës, pasi tërmetet e fuqishme të së hënës në Japoni kanë rritur viktimat në të paktën 48 të vdekur, transmeton Anadolu.
Sipas transmetuesit publik japonez NHK, të gjitha viktimat ishin në provincën Ishikawa, që shtrihet përgjatë bregdetit në ishullin Honshu.
NHK-ja shtoi se shumë njerëz u lënduan në provincat Ishikawa, Niigata, Fukui, Toyama dhe Gifu.
Ministria japoneze e Mbrojtjes tha se ka mobilizuar forcat tokësore, ajrore e detare dhe se do të dislokojë rreth 10 mijë ushtarë në provincat e prekura për operacione shpëtimi, ndihme dhe mbështetjeje.
Japonia u godit nga një seri tërmetesh që nga pasditja e së hënës me magnitudë deri në 7,6 ballë, duke shkaktuar paralajmërim për cunami, zjarr të madh dhe valë të larta katër metra.
Më vonë autoritetet hoqën paralajmërimin për cunami.
Shumë shtëpi u rrënuan, disa rrugë u dëmtuan ndjeshëm, ndërsa shërbimet e trenave u pezulluan pas tërmeteve.
Mijëra njerëz u evakuuan në vende më të sigurta.
Raportohet se disa njerëz kanë mbetur të bllokuar brenda disa ndërtesave në qytetin Wajima të provincës Ishikawa, ndërsa zjarrfikësit vazhdojnë me përpjekjet e tyre për t'i lokalizuar.
Rreth 200 ndërtesa, duke përfshirë dyqane dhe shtëpi, u përfshinë nga flakët përreth rrugës së njohur turistike Asaichi.
Në videot dhe fotografitë që u transmetuan nga NHK-ja, shihen shumë shtëpi të rrënuara në gjithë provincën Ishikawa, ndërsa varkat e vogla ishin përmbysur në det.
Rreth 500 pasagjerë u bllokuan në aeroportin e Notos në provincë pasi tërmetet shkaktuan dëme të mëdha në ndërtesën e terminalit, duke e bërë pistën dhe rrugët të papërdorshme.
Sipas Autoritetit të Informacionit Gjeohapësinor të Japonisë, tërmetet mund të kenë zhvendosur tokën në rajonin Noto deri në 1,3 metër në perëndim.