Jonson: Do të parandalojmë aktivitetet e organizatës terroriste PKK në vend.     /Foto: Reuters

Ministri i Mbrojtjes së Suedisë Pal Jonson tha se vendi i tij do të luftojë së bashku me Türkiyen kundër terrorizmit ndërkombëtar.

Në një deklaratë për gazetën "Aftonbladet", Jonson vlerësoi dakordimin e arritur mes Türkiyes, Suedisë dhe NATO-s në Samitin e NATO-s në Lituani dhe vendimin e Türkiyes për të referuar në Asamblenë e Madhe Kombëtare të Türkiyes (TBMM) protokollin e anëtarësimit të Suedisë në NATO.

"Me Türkiyen do të luftojmë së bashku kundër terrorizmit ndërkombëtar. Do të përkushtohemi në parandalimin e aktiviteteve të organizatës terroriste PKK në Suedi. Kjo është e rëndësishme për sigurinë tonë dhe për sigurinë e Türkiyes", deklaroi Jonson.

Në pyetjen e gazetarit "Nëse i sheh Suedia YPG/PYD-në dhe FETO-n si organizata terroriste si rezultat i dakordimit të arritur me Türkiyen në takimin në Vilnius?", ministri Jonson tha: "Për këtë nuk mund të jap përgjigje të saktë, sepse nuk isha i pranishëm në takim, ka qenë ministri i Drejtësisë, Gunnar Strömmer".

Ai theksoi se çështja se me cilat grupe terroriste do të luftohet është përfshirë edhe në memorandumin trepalësh të nënshkruar nga Türkiye, Suedia dhe Finlanda.

Në memorandumin e nënshkruar në Samitin e NATO-s të mbajtur më 28 qershor 2022 në Madrid, thuhet se "Finlanda dhe Suedia si aleatë të ardhshëm të NATO-s do të japin mbështetje të plotë ndaj Türkiyes kundër të gjitha kërcënimeve ndaj sigurisë së saj kombëtare. Finlanda dhe Suedia nuk do të sigurojnë mbështetje për PYD/YPG-në dhe organizatën e cila në Türkiye përcaktohet si FETO. Finlanda dhe Suedia japin mbështetje të plotë kundër të gjitha kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare në Türkiye".

Gjithashtu, edhe deklarata se "Suedia përsërit se nuk do të ofrojë mbështetje për YPG/PYD-në dhe organizatën e përcaktuar si FETO në Türkiye" e cila ndodhet në deklaratën me shkrim pas takimit trepalësh Türkiye, Suedi dhe NATO në Vilnius, paraqet përkushtimin e Suedisë në këtë çështje.

TRT Balkan / agjencitë