Kanë lindur mosmarrëveshje mes anëtarëve të kabinetit të luftës të Izraelit lidhur me shkallën dhe kohën e një sulmi ndaj Iranit.
Pas sulmit hakmarrës të paprecedentë të Iranit të drejtuar në tokën izraelite të shtunën, dallimet u shfaqën gjatë takimit të së dielës të kabinetit të luftës në selinë e Ministrisë së Mbrojtjes në Tel Aviv, sipas mediave izraelite.
“Ka konsensus mbi domosdoshmërinë e përgjigjes ndaj sulmit iranian, por mosmarrëveshjet sillen rreth shkallës dhe kohës së përgjigjes, pa injoruar presionin e ShBA-së dhe ndërkombëtare”, raportoi Channel 12 i Izraelit.
Më herët të dielën, transmetuesi publik izraelit KAN tha se përgjigjja ndaj sulmit iranian “u anulua në minutën e fundit” pas një telefonate midis kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidentit të ShBA-së Joe Biden.
Ai sugjeroi se “aparati i sigurisë në Izrael ende mbështet një përgjigje ndaj sulmit iranian, por jo domosdoshmërisht menjëherë”.
“Do t’i hakmerremi Iranit njësoj”
Kanali 12 i Izraelit raportoi se anëtarët e kabinetit të luftës Benny Gantz dhe Gadi Eisenkot propozuan të shtunën “një përgjigje të menjëhershme ndaj sulmit, por propozimi u refuzua”.
Transmetuesi vuri në dukje se “disa brenda kabinetit të luftës besojnë se ekuacioni duhet të jetë “sy për sy” në një raund të shkurtër dhe të menjëhershëm (konfrontimi), ndërsa të tjerë besojnë se është e nevojshme të pritet dhe të planifikohet me kujdes për të dhënë një përgjigje të fortë.”
Kabineti i luftës u mblodh të dielën në selinë e Ministrisë së Mbrojtjes në Tel Aviv për të vlerësuar një përgjigje ndaj Teheranit.
Këshilli i Sigurimit autorizoi Netanyahun, Ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant dhe Gantz që të përcaktojnë se si Izraeli do t’i përgjigjet sulmit të Iranit, i cili ishte në hakmarrje për një sulm të 1 prillit në konsullatën iraniane në Damask, Siri që vrau shtatë anëtarë të Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC), duke përfshirë dy gjeneralë.
Gantz tha në një deklaratë televizive se “do t’i hakmerremi Iranit njësoj” kur të jetë koha e duhur.