Të paktën dhjetë persona janë vrarë dhe 15 të tjerë janë plagosur në një seri sulmesh me thikë në provincën qendrore kanadeze Saskatchewan, tha policia të dielën.     Foto: AA

Të paktën dhjetë persona janë vrarë dhe 15 të tjerë janë plagosur në një seri sulmesh me thikë në provincën qendrore kanadeze Saskatchewan, tha policia të dielën.

Dy të dyshuar – Damien Sanderson, 31 vjeç, dhe Myles Sanderson, 30 vjeç – janë ende në arrati, tha Rhonda Blackmore, oficere komanduese e Policisë Mbretërore Kanadeze në Saskatchewan (RCMP).

Viktimat u gjetën në 13 lokacione në James Smith Cree Nation, një komunitet indigjen me rreth 3.400 njerëz, dhe Weldon, një fshat me popullsi të vogël prej rreth 200 banorësh.

“Mund të ketë viktima të tjera të plagosur që u transportuan në spitale të ndryshme”, tha Blackmore në një konferencë shtypi, raportoi Korporata Kanadeze e Transmetimeve (CBC).

Ajo tha se dy të dyshuarit “besohet se janë në një Nissan Rogue të zi”, por ata mund të kenë ndryshuar automjetin e tyre dhe “drejtimi i tyre i udhëtimit nuk dihet”.

“Në këtë fazë të hetimit tonë, ne besojmë se disa nga viktimat janë shënjestruar (me paramendim) nga i dyshuari dhe të tjerët janë sulmuar rastësisht”, tha Blackmore.

Alarme janë ndezur në Saskatchewan dhe provincat fqinje Alberta dhe Manitoba, kurse njerëzit janë këshilluar “të marrin masa paraprake dhe të mendojnë për strehimin emergjent”.

Kryeministri Justin Trudeau i quajti sulmet “të tmerrshme dhe zemërthyese” dhe falënderoi reaguesit e parë në terren.

“Mendimet e mia janë për ata që kanë humbur ndonjë të dashur dhe për ata që u plagosën”, shkroi ai në Twitter.

“Jemi duke monitoruar nga afër situatën dhe u bëjmë thirrje të gjithëve të ndjekin përditësimet nga autoritetet lokale”, shtoi Trudeau.

Kryeministri i provincës Saskatchewan, Scott Moe tha se RCMP dhe agjencitë e tjera të sigurisë po bëjnë përpjekje “për të kapur sulmuesit dhe për të mbrojtur publikun”.

“Nuk ka fjalë për të përshkruar në mënyrë adekuate dhimbjen dhe humbjen e shkaktuar nga kjo dhunë e pakuptimtë. I gjithë Saskatchewan-i mban pikëllim për viktimat dhe familjet e tyre”, shkroi ai në Twitter.

AA