Negociatat midis Izraelit dhe Hamasit për të siguruar një armëpushim në Gaza dhe një shkëmbim pengjesh kanë ngecur, tha kryeministri i Katarit.
"Ne po kalojmë një fazë të ndjeshme me disa ngecje dhe po përpiqemi sa më shumë që të jetë e mundur ta trajtojmë këtë ngecje", deklaroi Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani në një konferencë shtypi me kryeministrin rumun Marcel Ciolacu.
Katari, bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Egjiptin, kanë qenë të angazhuar në javë bisedimesh në prapaskenë për të siguruar një armëpushim në Gaza dhe lirimin e pengjeve izraelitë në këmbim të të burgosurve palestinezë të mbajtur në burgjet izraelite.
Sheikh Mohammed u shpreh se “Negociatorët po përpiqen të "ecin përpara dhe t'u japin fund vuajtjeve që po përjetojnë njerëzit në Gaza dhe t'i kthejnë pengjet".