Kërcënime dhe sulme raciste ndaj xhamive në Gjermani.    /Foto: AA

Pako që përmbanin kërcënime dhe fyerje raciste në turqisht dhe gjermanisht, si dhe faqe të dëmtuara të Kuranit, mish derri apo jashtëqitje, u dërguan në tre xhami të lidhura me Unionin Turko-Islamik për Çështjet Fetare (DITIB) në Gjermani.

Xhamia Mevlana në Castrop-Rauxel, Xhamia Merkez në Recklinghausen dhe Xhamia Merkez në Bochum, të vendosura në shtetin e Gjermanisë North Rhine-Westphalia (NRW), ishin xhamitë që u prekën nga sulmet raciste dhe kërcënimet.

Një kallëzim penal është ngritur menjëherë nga drejtuesit e xhamive lokale të cilët shprehën zhgënjimin e tyre të thellë për sulmet, duke i dënuar ashpër ato dhe duke theksuar nevojën për kapjen dhe nxjerrjen e autorëve para drejtësisë.

Policia ka nisur menjëherë hetimet mbi këtë rast.

Në një deklaratë të dhënë nga udhëheqësit e këtyre xhamive u theksua se sulmet do denoncohen ashpër, duke thënë: "Kundër provokimeve, ne nuk do të devijojmë nga qëndrimi ynë dinjitoz dhe i arsyeshëm, si gjithmonë. Ky sulm i neveritshëm na ka pikëlluar thellësisht ne dhe fqinjëve tanë. Ne dhe xhemati ynë jemi të shqetësuar".

"Sulme të mëtejshme të këtij lloji do të shkaktojnë shqetësime serioze në shoqëri. Ne kërkojmë që autori ose autorët të kapen sa më shpejt të jetë e mundur dhe të sillen para drejtësisë," shtuan ato.

Sipas DITIB (Unioni Turko-Islamik për Çështjet Fetare), të paktën 35 xhami u sulmuan në Gjermani vitin e kaluar, me shumicën e këtyre sulmeve të motivuara nga ndjenjat anti-muslimane dhe ekstremizmi i krahut të djathtë në vend.

TRT Balkan / agjencitë