Këshilltari i Bidenit paralajmëron Izraelin për sulm iranian "të vështirë" / Photo: AA

Këshilltari i lartë i presidentit amerikan Joe Biden, Amos Hochstein, për shkak të përleshjeve të vazhdueshme me Hezbollahun libanez paralajmëron Izraelin për një "sulm iranian të vështirë për t'u zmbrapsur".

Sipas lajmit të gazetës "Haaretz", Hochstein i cili mbërriti dje në Tel Aviv si pjesë e përpjekjeve për të qetësuar përleshjet mes Izraelit dhe Hezbollahut në kufirin libanez të cilat u përshkallëzuan ndjeshëm javën e kaluar, u takua me presidentin izraelit, Isaac Herzog, kryeministrin Benjamin Netanyahu, liderin e opozitës Yair Lapid dhe ministrin e Mbrojtjes, Yoav Galant.

Hochstein paralajmëron zyrtarët izraelitë se "një luftë me Hezbollahun mund të çojë në një sulm në shkallë të gjerë të Iranit ndaj Izraelit dhe se ky sulm do të ishte vështirë të zmbrapset nga sistemet e mbrojtjes izraelite".

Duke paralajmëruar se edhe Hezbollahu mund të bëjë një sulm në shkallë të gjerë nga Libani. Hochstein nënvizoi se një armëpushim me Hezbollahun nuk mund të arrihet për sa kohë që në Rripin e Gazës nuk arrihet armëpushim.

Sipas lajmit, Hochstein shpreson se nëse operacioni tokësor i Izraelit në Rafah që ndodhet në jug të Rripit të Gazës, përfundon brenda dy ose tre javësh, kjo do të çojë në uljen e intensitetit të konfliktit midis Izraelit dhe Hezbollahut.

Ai shprehu shpresën se një lehtësim i mundshëm i sulmeve mes Hezbollahut dhe Izraelit do të krijonte kornizë për marrëveshje armëpushimi që do të nënshkruhet në të ardhmen mes dy palëve.

Ndërkohë nga ShBA-ja dhe Izraeli nuk është bërë ende një deklaratë zyrtare në lidhje me lajmin e "Haaretz".​​​​​​​

Pas Tel Avivit, Hochstein udhëtoi për në Liban, ku po i vazhdon takimet.

AA