Khamenei: Sulmi izraelit nuk duhet as të ekzagjerohet e as të nënvlerësohet / Photo: AA

Në reagimin e tij të parë pas sulmit ajror izraelit në objektet ushtarake iraniane, lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, tha se sulmi nuk duhet “as të ekzagjerohet dhe as të nënvlerësohet”.

Duke folur në një ngjarje në Teheran, Khamenei theksoi nevojën për të “penguar llogaritjet e gabuara” të Izraelit. Ai përcolli një mesazh për forcat e armatosura iraniane, duke pohuar se Irani duhet ta bëjë Izraelin “të kuptojë fuqinë, aftësinë, zgjuarsinë dhe vullnetin e kombit irainan”.

Sulmi izraelit filloi rreth orës 02:30 të mëngjesit të shtunës, duke vënë në shënjestër objektet ushtarake në provincat kufitare Ilam dhe Khuzestan, si dhe në zonat përreth kryeqytetit Teheran.

Forcat e armatosura të Iranit thanë se derisa shumica e raketave u kapën nga sistemet e mbrojtjes ajrore, disa shkaktuan “dëm të kufizuar” duke rezultuar edhe në vdekjen e katër ushtarëve iranianë.

Forcat e armatosura pretenduan se avionët luftarak izraelitë përdorën hapësirën ajrore të kontrolluar nga SHBA-ja në Irak për të lëshuar raketa me rreze të gjatë veprimi mbi pozicionet ushtarake iraniane nga afër 100 kilometra jashtë kufijve të Iranit.

Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se sulmi ajror kishte në shënjestër objektet e prodhimit të raketave të Iranit, sistemet e raketave tokësore-ajrore dhe infrastrukturën e mbrojtjes ajrore.

Khamenei pohoi se Izraeli bëri një “gabim” duke sulmuar Iranin. Ai theksoi se ata e “ekzagjeruan” ndikimin e sulmit, por gjithashtu paralajmëroi që të mos i nënvlerësojnë ato.

“Ata po i bëjnë llogaritjet gabim në lidhje me Iranin. Ata nuk e njohin Iranin, nuk e njohin rininë e Iranit, nuk e njohin kombin iranian dhe nuk e kanë kuptuar akoma siç duhet fuqinë, aftësinë, zgjuarsinë dhe vullnetin e kombit iranian. Kjo është diçka që duhet t’ua bëjmë të qartë atyre”, tha Khamenei.

Ai ia kaloi topin zyrtarëve ushtarak për të vendosur për një përgjigje të përshtatshme ndaj këtij sulmi të fundit, i cili ishte sulmi i parë i drejtpërdrejtë nga Izraeli në tokën iraniane që është pranuar publikisht.

Sulmi i të shtunës ndodhi disa javë pasi Irani nisi sulmet raketore ndaj objektivave në Tel Aviv, në atë që Teherani tha se ishte hakmarrje për vrasjen e liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh dhe komandantit të Gardës Revolucionare Islamike, Abbas Nilforoushan.

Irani më herët kishte paralajmëruar se çdo sulm i mëtejshëm izraelit do të përballej me një “përgjigje më të ashpër”.

Dje, Ministria e Punëve të Jashtme e Iranit tha se vendi ndihet i “detyruar” të mbrohet kundër “veprimeve të huaja agresive” bazuar në të drejtën e mbrojtjes legjitime të sanksionuar në nenin 51 të Kartës së OKB-së.

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura gjithashtu përsëriti “të drejtën e vendit për të ndërmarrë veprime të ligjshme dhe legjitime në një kohë të përshtatshme”, derisa theksoi domosdoshmërinë e një “armëpushimi të qëndrueshëm në Gaza dhe Liban”.

TRT Balkan / agjencitë