Kina: Pavarësia e Tajvanit do të thotë luftë / Photo: AA

Pavarësia e Tajvanit do të thotë luftë, paralajmëroi të enjten Ministria Kineze e Mbrojtjes, sipas mediave shtetërore.

"Ndarja nuk sjell paqe", tha zëdhënësi i ministrisë Wu Qian, duke iu referuar ndarjes së Tajvanit nga Kina kontinentale.

Ai i bëri komentet pas stërvitjeve ushtarake kineze në shkallë të gjerë rreth Tajvanit javën e kaluar pas inaugurimit të William Lai Ching-te si president i Tajvanit, të cilin Pekini e pretendon si territorin e tij.

Wu tha se Ushtria Çlirimtare Popullore ishte "plotësisht e përgatitur dhe në gatishmëri".

"Ne do të ndërmarrim veprime vendimtare për të shtypur çdo përpjekje separatiste për 'pavarësinë e Tajvanit' dhe për të penguar çdo ndërhyrje të huaj", tha Wu, duke shtuar:

"Tajvani është pjesë e Kinës. Se si të zgjidhet çështja e Tajvanit është çështje për 1,4 miliardë kinezët, jo diçka në të cilën ShBA-ja duhet të ndërhyjë."

Presidenti i Tajvanit Lai Ching-te tha të dielën se ishte i gatshëm të bashkëpunonte me Pekinin, pavarësisht ushtrimeve ushtarake rreth ishullit.

Komunikimet midis Kinës dhe Tajvanit u ndërprenë në vitin 2016 pasi ish-presidenti Tsai Ing-wen mori detyrën, duke u zotuar të mbronte sovranitetin e Tajvanit.

Kina pretendon se Tajvani është "provincë e shkëputur", megjithatë, Taipei ka këmbëngulur për pavarësi që nga viti 1949 dhe ka vendosur marrëdhënie diplomatike me të paktën 14 vende dhe rajone.

TRT Balkan / agjencitë