Kisha Katolike e Italisë ka lëshuar raportin e saj të parë të abuzimit seksual të dyshuar të klerikëve ndaj të miturve dhe të rriturve të cenueshëm, por shoqatat e viktimave thanë se numri aktual i rasteve ishte shumë më i lartë dhe e kritikuan shtrirjen e kufizuar si "të turpshme".
Raporti prej 41 faqesh zbuloi 39 viktima të supozuara dhe akuzoi 68 persona, por mbuloi vetëm vitet 2020 dhe 2021. Një raport i dytë që bën fjalë për para vitit 2000 po ashtu është parashikuar nga Vatikani, por ende është e paqartë se kur do të publikohet.
Sipas raportit të parë, shumica e viktimave kur janë dhunuar kanë qenë të moshës 15-18 vjeç. 16 nga viktimat ishin të rritur që kisha i konsideronte "të pambrojtur".
Pretendimet përfshijnë kryesisht të folur, sjellje dhe prekje të papërshtatshme. Abuzuesit e supozuar përfshinin priftërinjtë, njerëz laikë si punonjësit e kishës, si dhe mësues të fesë.
Dje, në një konferencë për media, zyrtarë të lartë të kishës thanë se po hulumtojnë mbi 600 raste të abuzimit seksual që janë paraqitur në Vatikan që nga viti 2000.
Megjithatë, shoqatat e viktimave denoncuan kufizimet e raportit, i cili mbulon vetëm dy vjet dhe nuk përfshin kërkime në arkivat e Vatikanit.
Shoqatat e viktimave akoma janë duke luftuar për të siguruar një llogari të plotë të abuzimeve të kryera brenda kishës, si dhe bëjnë thirrje për një hetim të pavarur që duhet të mbulojë shumë dekada, siç ndodhi në vende të tjera, si Franca dhe Gjermania.
Raporti i Vatikanit bazohet në të dhënat që vijnë nga të ashtuquajturat "qendra të dëgjimit" në dioqeza, por përfshin informacione vetëm nga viktimat që denoncuan abuzimet.
Grupi kryesor i të mbijetuarve në Itali ‘Rete L’Abuso’ vlerëson rreth 1 milion viktima në Itali. Kreu i saj, Francesco Zanardi, e kritikoi raportin duke e quajtur "absolutisht të pakënaqshëm dhe të turpshëm".
"Nëse në dy vjet kanë marrë 89 ankesa, kjo do të thotë se problemi është aty dhe është i madh", tha Zanardi.
Kryepeshkopi Lorenzo Ghizzoni mbrojti rishikimin e parë, duke theksuar se ai pret që më shumë viktima të dalin në pah derisa sistemi i raportimit po bëhet më i favorshëm.