Komuna e Khan Younisit në Gaza pastron rrënojat e lëna nga Izraeli / Photo: AA

Pas tërheqjes së ushtrisë izraelite, nga ku u lanë pas shkatërrime të mëdha, Komuna e qytetit Khan Younis, në jug të Rripit të Gazës, nisi të pastrojë grumbujt e rrënojave në rrugë për të mundësuar kalim më të lehtë të ambulancave dhe qytetarëve.

Edhe pse me burime të kufizuara për shkak të mungesës së karburantit dhe automjeteve për të hequr rrënojat e grumbulluara, punonjësit e Komunës së Khan Younisit vijojnë me punimet.

Një nga zyrtarët e Komunës së Khan Younisit, Iyad Abu Khalil njoftoi se, pas tërheqjes së ushtrisë izraelite nga qyteti, qytetarët kërkuan hapjen e rrugëve dhe pastrimin e rrënojave, duke bërë të mundur hapjen e shumë rrugëve me mjete primitive, pavarësisht mungesës së mjeteve kryesore si karburanti apo shkatërrimit të pajisjeve të rënda ndërtimore nga ushtria izraelite.

Tërheqja e trupave izraelitë nga Khan Younis, në jug të Rripit të Gazës, u bë më 7 prill, katër muaj pasi kishte nisur sulm tokësor me pretekstin e shpëtimit të të burgosurve izraelitë të mbajtur nga Hamasi.

Sulmet izraelite prekën shumë qytetin, duke shkaktuar dëme të mëdha në rrugë, shtëpi dhe infrastrukturë.

AA