Sipas agjencisë së spiunazhit të Koresë së Jugut, të paktën 100 ushtarë të Koresë së Veriut janë vrarë duke luftuar kundër Ukrainës.
Shërbimi Informativ Kombëtar (NIS) tha se rreth 1 mijë ushtarë të tjerë gjithashtu janë plagosur gjatë luftimeve midis forcave ruse dhe ukrainase, respektivisht në konfliktin që ka vazhduar që nga shkurti i vitit 2022.
Siç raporton ‘Yonhap News’ me bazë në Seul, agjencia NIS këtë informacion ua dha ligjvënësve të Koresë së Jugut gjatë një konference me dyer të mbyllura për media në komitetin parlamentar të inteligjencës.
Sipas agjencisë koreano-jugore, rreth 11 mijë ushtarë janë vendosur në rajonin rus Kursk, i cili kufizohet me Ukrainën dhe janë në "luftime aktuale".
Gjeneralë të Koresë së Veriut "duket se janë të përfshirë në mesin e viktimave".
Moska dhe Pheniani ende nuk e kanë konfirmuar apo mohuar vendosjen e trupave të Koresë së Veriut për të luftuar Ukrainën, e cila mbështetet nga SHBA-ja, Bashkimi Evropian (BE) dhe aleatët e tyre kundër Rusisë.
Sipas agjencisë NIS, trupat e Koresë së Veriut "po konsumohen si trupa të vijës së parë në fushë beteja të panjohura për shkak të mungesës së përvojës së tyre me dronët".
Agjencia koreano-jugore pretendoi se ushtria ruse është "ankuar se ushtarët e Koresë së Veriut janë një barrë për shkak të injorancës së tyre për dronët".
Në muajin nëntor, Seuli ishte i pari që pretendoi se Pheniani ka dërguar trupa në Rusi. Më vonë, ShBA-ja dhe NATO-ja mbështetën pretendimet e Koresë së Jugut.
Zhvillimi erdhi pasi Moska dhe Pheniani nënshkruan një marrëveshje gjithëpërfshirëse dypalëshe që kërkon që secili prej aleatëve ta zgjerojë mbështetjen ushtarake nëse sulmohet nga një palë e tretë.