Kryeministri i Izraelit përsëri citon Biblën: Kjo është koha për luftë.  / Foto: AA

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të hënën se Izraeli nuk do të pajtohet me një armëpushim në Gaza, ku po vazhdojnë bombardimet brutale prej tri javësh.

Ai citoi gjithashtu Biblën duke thënë "kjo është koha për luftë".

"Zonja dhe zotërinj, Bibla thotë se 'ka një kohë për paqe dhe një kohë për luftë'. Kjo është koha për luftë. Një luftë për të ardhmen tonë të përbashkët", tha Netanyahu në gjuhën angleze gjatë një konference shtypi për mediat e huaja.

Ai vuri në dukje se Izraeli nuk do të pajtohet për një "ndërprerje të armiqësive me Hamasin pas sulmit të tmerrshëm" të 7 tetorit, ashtu siç nuk bënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) pas bombardimeve të Pearl Harborit ose pas sulmeve të 11 shtatorit.

Netanyahu më parë është thirrur në teorinë e Amalekitëve, një fis i përmendur në Torah, për të justifikuar veprimet e tij mizore në enklavën e rrethuar palestineze të Gazës.

Ushtria izraelite ka zgjeruar sulmet ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës, i cili ka qenë nën sulme të pamëshirshme ajrore që nga ofensiva e befasishme nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor. Më shumë se 1.538 izraelitë janë vrarë në sulmet e Hamasit.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi të hënën se 8.306 palestinezë janë vrarë nga bombardimet izraelite në Rripin e Gazës. Në mesin e të vdekurve janë 3.457 fëmijë dhe 2.136 gra, ndërsa më shumë se 21.048 njerëz janë plagosur.

TRT Balkan / agjencitë