Fillimi i luftës ruso-ukrainase vitin e kaluar rrezikoi shkaktimin e një krize globale ushqimore, duke marrë parasysh se të dyja vendet janë ndër eksportuesit më të mëdhenj të drithërave. Kjo u shmang falë përpjekjeve diplomatike të Türkiyes dhe presidentit të saj Recep Tayyip Erdoğan.
Türkiye filloi bisedimet me Rusinë dhe Ukrainën në prill të vitit 2022, ndërsa përfundimisht u arrit marrëveshja e nënshkruar në Istanbul më 22 korrik.
Që atëherë, mbi 1 mijë anije kanë transportuar 33 milionë tonë drithëra, duke parandaluar krizën globale ushqimore dhe duke ndihmuar sidomos vendet e varfra.
Kush përfitoi nga Marrëveshja e Istanbulit
Në vitin 2022, 47 milionë njerëz vlerësohej se vuanin nga uria e rëndë si rezultat i rritjes së kostove të ushqimit në botë, pjesërisht për shkak të ndikimit të pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022. Vendet në zhvillim në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine janë ndikuar më së shumti nga kjo luftë për shkak të varësisë së tyre ndaj importit të drithërave dhe karburanteve.
Sipas Organizatës së OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë, Ukraina është ndër eksportuesit kryesorë në botë të drithërave, duke ofruar më shumë se 45 milionë tonë në vit në tregun global. Pothuajse i gjithë gruri, misri dhe vaji i lulediellit të Ukrainës u eksportuan përmes porteve të saj në Detin e Zi përpara konfliktit.
Portet e bllokuara në konflikt filluan të lirojnë anijet me drithëra pas marrëveshjes. Nga 33 milionë tone të eksportuara, 42% u dërguan në Evropë, 39% në Azi, 13% në Türkiye, 12% në Afrikë dhe 5% në Lindjen e Mesme.
U eksportuan 13 lloje të drithërave, përfshirë elbin, grurin, sojën, farat e lulediellit, bizelet, misrin, panxhar sheqerin dhe të tjera.
Përpjekjet për vazhdimin e marrëveshjes
Marrëveshja e arritur në korrikun e vitit të kaluar ishte për 120 ditë, por u vazhdua edhe 3 herë të tjera falë përpjekjeve diplomatike.
Megjithatë, ajo skadon këtë javë dhe Rusia tani për tani nuk e ka ndërmend ta vazhdojë, për shkak se, siç thotë ajo, nuk janë plotësuar kushtet e saj në marrëveshje.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan theksoi se do të zhvillojë biseda telefonike me palët për ta vazhduar marrëveshjen dhe për ta mbajtur gjallë këtë “urë humanitare”, përpara fillimit të gushtit.