Kosovë: Për dy ditë në Zveçan regjistrohen dy sulme me granata.       Foto: Reuters

Objekti i komunës dhe stacioni policor në Zveçan të Kosovës brenda dy ditëve kanë qenë shënjestër e sulmeve me granata. Ndërtesa komunale në Zveçan është sulmuar me granatë mbrëmë pak para mesnatës (28 nëntor), ndërsa, përveç dëmeve materiale, nuk ka të lënduar.

Përveç disa dritareve të thyera në objektin e komunës, janë dëmtuar edhe disa makina që kanë qenë të parkuara në afërsi, dy prej të cilave me targa të Serbisë dhe një me targa vendore.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, për KosovaPress tha se sulmi ka shkaktuar dëme materiale.

“E njëjta ka shkaktuar dëme materiale në ndërtesën e Komunës së Zveçanit e po ashtu edhe në katër vetura që kanë qenë të parkuara aty afër. Nuk ka të lënduar apo të dyshimtë, ndërsa policia po punon në drejtim të ndriçimit të rastit”, tha Elshani. Një ditë më parë sulm me granata u regjistrua edhe mbi Stacionin Policor në Zveçan. Sulmi, sipas Policisë së Kosovës, është bërë me dy granata që dyshohet të jenë M-75 prodhim jugosllav dhe, përveç dëmeve materiale, nuk ka të lënduar. Ngjarja ka ndodhur të martën rreth mesnatës.

TRT Balkan / agjencitë