Kremlini e përshkroi të mërkurën kërkesën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy për armë bërthamore si “kufi me çmendurinë”.
Duke folur për gazetarët në kryeqytetin rus Moskë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, kritikoi nocionin se Ukrainës duhet t'i sigurohet armë bërthamore në sasi të mjaftueshme për të penguar Rusinë.
“Deklarata dhe vërejtje të tilla, në përgjithësi, kufizohen me çmenduri. Ndër të tjera, ekziston dhe një regjim i mospërhapjes së armëve bërthamore”, tha Peskov.
Zelenskyy tha në një intervistë me gazetarin britanik Piers Morgan të martën vonë se Kievit duhet t'i jepen armë bërthamore për ta garantuar sigurinë e tij nëse procesi i anëtarësimit të Ukrainës në NATO zgjat shumë.
Ai vuri në dyshim se cilat garanci do të kishte Ukraina nëse pranimi në NATO mbetet i pasigurt, duke thënë: “A do të na japin armë bërthamore? Le të na japin armë bërthamore”.
"A do të na japin raketa mjaftueshëm për ta ndaluar Rusinë, për të cilën dyshoj? Por, kjo (dhënia e armëve bërthamore) do të ndihmojë," shtoi ai.
Plani i Trumpit për ta 'marrë në dorë' Gazën
Peskov komentoi gjithashtu planin e Presidentit të ShBA-së Donald Trump për ta "marrë përsipër" Gazën, duke thënë se Kremlini i ka marrë parasysh vërejtjet e tij.
“Po, ne kemi dëgjuar deklaratat e zotit Trump për këtë çështje”, tha Peskov. "Ne kemi parë dhe dëgjuar gjithashtu deklarata nga Aman dhe Kajro që e refuzojnë këtë ide."
Ai shtoi se Rusia po shikon se çfarë po ndodh në Lindjen e Mesme.
Gjatë një konference për shtyp me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Uashington të martën, Trump tha se ShBA-ja "do ta marrë nën kontroll" Gazën pasi t'i zhvendosë palestinezët në vende të tjera sipas një plani rizhvillimi që ai pretendoi se mund ta kthejë enklavën në "rivierën e Lindjes së Mesme".