Kreu i IFRC-së: Pasiguri e rëndë ushqimore po afrohet në Gaza / Photo: AA

Kreu i Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC) shprehu shqetësim të hënën për sigurinë ushqimore në Rripin e Gazës.

"Një pasiguri e rëndë ushqimore po afrohet në Gaza. Rreziku i urisë po rritet çdo ditë, pasi rreth 80% e popullsisë tashmë përballet me kushte emergjente ose katastrofike akute të pasigurisë ushqimore", shkroi Jagan Chapagain në X.

Sipas raporteve të Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze, më shumë se një milion fëmijë dhe të moshuar në qendrat e strehimit vuajnë nga rreziku i dehidrimit, sëmundjeve të tretjes dhe të frymëmarrjes, sëmundjeve të lëkurës dhe anemisë, shtoi ai.

"Ky është realiteti i ashpër me të cilin njerëzit në Gaza përballen çdo ditë. Unë përsëris thirrjen time për një akses të sigurt dhe të papenguar humanitar për të lehtësuar shpërndarjen e ndihmave humanitare jetësore", tha Chapagain.

Nga ofensiva vdekjeprurëse izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, pas një inkursioni ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas, janë vrarë të paktën 29.782 njerëz dhe kanë shkaktuar shkatërrim në masë dhe mungesë të gjërave të nevojshme, ndërsa rreth 1.200 izraelitë besohet të jenë vrarë.

Sipas OKB-së, lufta izraelite në Gaza ka shtyrë rreth 85% të popullsisë së territorit në zhvendosje të brendshme mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 70% e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Gjithashtu, Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Një vendim i përkohshëm në janar urdhëroi Tel Aviv-in të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

AA