Sulmet pa dallim të Izraelit ndaj fëmijëve dhe grave palestineze janë qartazi krime lufte, tha Jan Egeland nga një organizatë joqeveritare norvegjeze.
“Është e turpshme të vazhdosh të bësh luftë nëpër kampet e refugjatëve”, tha Egeland, sekretari i përgjithshëm i Këshillit Norvegjez të Refugjatëve, në rrjetin social X.
"Edhe nëse Hamasi kreu krim lufte me fshehjen e luftëtarëve mes civilëve të zhvendosur, këto sulme të vazhdueshme dhe pa dallim që vranë shumë fëmijë dhe gra janë qartësisht krime lufte izraelite", tha sekretari i përgjithshëm i Këshillit Norvegjez të Refugjatëve.
Të paktën 39 palestinezë u vranë të enjten në një sulm nga avionët izraelitë në një shkollë që strehonte përkohësisht mijëra njerëz të zhvendosur në kampin e refugjatëve Nuseirat në Rripin qendror të Gazës.
Izraeli vazhdon ofensivën e tij brutale në Rripin e Gazës pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që kërkon një armëpushim të menjëhershëm.
Sipas autoriteteve lokale shëndetësore, më shumë se 36.580 palestinezë janë vrarë që atëherë në Gaza, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, dhe më shumë se 83.000 janë plagosur.
Izraeli është akuzuar për gjenocid përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND), e cila në vendimin e saj të fundit urdhëroi Tel Avivin të pezullojë menjëherë operacionin në Rafah, ku më shumë se një milion palestinezë kanë kërkuar strehim nga lufta.