Isar 2, i vendosur në shtetin jugor të Bavarisë, ishte planifikuar të dilte jashtë linje në fund të vitit.     Foto: Reuters Archive 

Pas problemeve të rrjedhjeve në termocentralin japonez “Fukushima” në 2011, presioni publik u rrit në shumë vende, u shfaqën shqetësime për sigurinë e termocentraleve bërthamore, për shkak të të cilave qasja ndaj energjisë bërthamore u kthye në një drejtim negativ.
Disa vende, me ndërgjegjësim në rritje për klimën dhe mjedisin, kanë përgatitur plane dhe programe për të braktisur termocentralet bërthamore dhe i janë drejtuar gazit natyror për shkak të bollëkut dhe çmimeve të arsyeshme të tregut.
Këtë vit, me rritjen e tensioneve gjeopolitike dhe krizën energjetike të shkaktuar nga lufta ruso-ukrainase, në strategjitë energjetike të vendeve të zhvilluara, qasjet mjedisore janë zëvendësuar me politika që kanë prioritet sigurinë energjetike.
Në muajt e fundit, ekonomitë kryesore të botës, të përballura me rritjen e shpejtë të çmimeve të karburanteve fosile dhe mungesës së furnizimit me energji, janë kthyer në zgjatjen e orarit të funksionimit të reaktorëve bërthamorë të vjetruar, rihapjen e reaktorëve që janë mbyllur në të kaluarën dhe përgatitjen e projekteve të reja për termocentrale bërthamore me qëllim për të garantuar sigurinë e furnizimit me energji dhe prodhimin e pandërprerë të energjisë elektrike.
Kina
Kina siguron 5 për qind të energjisë elektrike të nevojshme nga 54 reaktorë bërthamorë. Aktualisht në vend po ndërtohen 22 reaktorë. Janë edhe 38 reaktorë të tjerë për të cilët Kina ka miratuar planet e ndërtimit.
Kina planifikon të ndërtojë gjashtë deri në tetë reaktorë bërthamorë çdo vit deri në vitin 2025 dhe të jetë vendi me kapacitetin më të madh në këtë fushë deri në vitin 2030.
Kina, e cila miratoi ndërtimin e gjashtë reaktorëve të rinj në prill, javën e kaluar miratoi ndërtimin e edhe katër reaktorëve të rinj për dy termocentrale bërthamore.
ShBA
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) janë lider në prodhimin e energjisë bërthamore. Falë 92 reaktorëve aktivë, Shtetet e Bashkuara sigurojnë 20 për qind të nevojave të vendit për energji elektrike. Aktualisht, dy reaktorë janë në ndërtim e sipër.
Në vend po kryhen studime dhe investime intensive për ndërtimin e një reaktori bërthamor modular.
Kohët e fundit janë bërë studime dhe kërkime për ndërtimin e termocentraleve bërthamore në vend të termocentraleve të vjetra në vend.
India
India ka 22 reaktorë bërthamorë. Termocentralet bërthamore prodhojnë 3 për qind të energjisë elektrike të vendit. Aktualisht po vazhdon ndërtimi i tetë reaktorëve.
India dëshiron të trefishojë prodhimin e saj të energjisë elektrike nga termocentralet bërthamore në dhjetë vitet e ardhshme.
Për shkak të krizës energjetike, kompania më e madhe e prodhimit të energjisë elektrike në vend ka nisur investimin në dy reaktorë të rinj bërthamorë. India planifikon të ndërtojë 12 reaktorë të rinj.
Japonia
Para aksidentit bërthamor të Fukushimës në vitin 2011, Japonia plotësonte 30 për qind të nevojave të saj për energji elektrike nëpërmjet termocentraleve bërthamore.
Në Japoni, e cila mbylli shumicën e reaktorëve të saj pas aksidentit, 33 reaktorë bërthamorë janë ende duke funksionuar.
Përballë rritjes së çmimeve të energjisë, Qeveria e Japonisë, e cila ka i kthyer sërish sytë te energjia bërthamore, ka vendosur të rrisë numrin e reaktorëve aktivë me ardhjen e dimrit.
Përveç shtatë reaktorëve aktivë, u vendos që të aktivizohen edhe nëntë të tjerë.
Në këtë mënyrë, 10 për qind e nevojave të vendit për energji elektrike do të mbulohen nga termocentralet bërthamore.
Koreja e Jugut
Njëzet e tetët për qind e nevojave për energjinë elektrike në Korenë e Jugut sigurohen nga termocentralet bërthamore.
Ka 25 reaktorë aktivë në vend dhe tre të tjerë janë në ndërtim e sipër.
Me shfaqjen e krizës energjetike, Koreja e Jugut braktisi strategjinë e daljes nga centralet bërthamore dhe vendosi të rrisë investimet në këtë fushë. Vendi planifikon të ndërtojë 10 termocentrale bërthamore deri në vitin 2030. Në këtë mënyrë pjesëmarrja e termocentraleve bërthamore në prodhimin e energjisë elektrike do të rritet në 30 për qind.
Gjermania
Gjermania planifikoi të heqë dorë nga përdorimi i termocentraleve bërthamore. Por, pas shpërthimit të luftës në Ukrainë të iniciuar nga Rusia, qeveria filloi të përgatitet për mundësinë e ndërprerjes së furnizimit me gaz nga Rusia.
Vitin e kaluar, 12 për qind e prodhimit total të energjisë elektrike në Gjermani është siguruar nga gjashtë reaktorë bërthamorë.
Gjermania ka marrë masa urgjente për të mbyllur një boshllëk të mundshëm në prodhimin e energjisë elektrike këtë dimër.
Për këtë qëllim u vendos të mbahen në rezervë centralet bërthamore “Isar 2” në shtetin e Bavarisë dhe “Neckarsheim 2” në shtetin Baden-Vyrtemberg.
Këto termocentrale do të jenë në rezervë emergjente deri në mes të prillit të vitit 2023.
Britania e Madhe
Nëntë reaktorë bërthamorë janë aktivë në vend. Këta reaktorë sigurojnë 15 për qind të nevojave të Mbretërisë së Bashkuar për energji elektrike.
Bashkë me shfaqjen e krizës energjetike, Britania e Madhe miratoi një projekt për ndërtimin e një centrali bërthamor me vlerë 30 miliardë funta. Në kuadër të këtij proekti pritet të nisë ndërtimi i termocentralit bërthamor “Sizewell C” me dy reaktorë në pjesën juglindore të vendit.
Franca
Në Francë, 70 për qind e energjisë elektrike prodhohet nga 56 reaktorë bërthamorë.
Kompania franceze e energjisë ‘Électric de France’ (EDF) ka përshpejtuar proceset e mirëmbajtjes për të sjellë sa më shumë reaktorë në gjendje aktive gjatë muajve të dimrit.
Presidenti Emmanuel Macron njoftoi planet për të ndërtuar 14 reaktorë të rinj bërthamorë për të thyer varësinë e Francës nga karburantet fosile.
Përveç kësaj, është vendosur të investohet në teknologjinë e reaktorit bërthamor mini-modular (SMR) të vendit.
Belgjika
Shtatë reaktorë funksionojnë në dy termocentralet bërthamore belge. Energjia elektrike e prodhuar nga reaktorët bërthamorë plotëson rreth 50 për qind të nevojave të vendit.
Dy centralet bërthamore në Belgjikë, të cilat ishin planifikuar të mbylleshin në vitin 2025, u zgjatën për një periudhë 10-vjeçare të funksionimit për shkak të krizës energjetike.
Po ashtu, kanë nisur edhe aktivitetet për zgjatjen e jetëgjatësisë së dy reaktorëve që është dashur të mbyllen këtë dimër.
Holanda
Holanda, e cila ka një reaktor bërthamor, ka filluar planifikimin e investimeve për dy reaktorë të rinj bërthamorë.
Polonia
Vendi, i cili planifikon të ndërtojë gjashtë reaktorë, ka filluar aktivitetet investuese në reaktorët bërthamorë me kapacitet të vogël.

AA