Kryediplomatët e Arabisë Saudite dhe Iranit u takuan në Pekin për herë të parë pas shtatë vitesh.
Transmetuesi kinez CGTN njoftoi se ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Princi Faisal bin Farhan Al Saud, takoi homologun e tij iranian Hossein Amir-Abdollahian sot në Pekin.
Takimi u realizua pasi Riadi dhe Teherani muajin e kaluar në një zhvillim të papritur njoftuan rifillimin e marrëdhënieve diplomatike, me ndërmjetësim të Kinës.
Të dy kombet pritet të rihapin ambasadat në kryeqytetet përkatëse deri në muajin e ardhshëm.
Irani dhe Arabia Saudite ndërprenë marrëdhëniet e tyre pasi Ambasada Saudite në Teheran u sulmua nga një turmë e zemëruar në janar 2016 pas ekzekutimit të klerikut shiit saudit Sheikh Nimr al-Nimr.
Që nga prilli i vitit 2021, të dyja palët u angazhuan në bisedime të gjata, të ndërmjetësuara nga Iraku dhe Omani, por ishte ndërhyrja kineze që rezultoi në një përparim muajin e kaluar.