Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu, ka bërë të ditur se takimi midis ministrave të Jashtëm të Türkiyes, Rusisë, Iranit dhe Sirisë pritet të mbahet në fillim të muajit maj në Moskë.
“Ne mendojmë se do të ndodhë në një periudhë si fillimi i majit, sipas informacionit paraprak që kemi marrë nga rusët. Do të jetë në Moskë. Aktualisht është planifikuar për në fillim të majit”, tha Çavuşoğlu në një intervistë për transmetuesin turk ‘A Haber’.
Çavuşoğlu tha se kjo çështje gjithashtu u diskutua gjatë vizitës së ministrit të jashtëm rus, Sergey Lavrov, në kryeqytetin Ankara të premten e kaluar.
Ministri turk shtoi se qëllimi i të gjitha këtyre bisedimeve është ringjallja e procesit politik, stabilitetit, paqja e qëndrueshme, lufta kundër terrorizmit, si dhe integriteti territorial i Sirisë.
Çavuşoğlu gjithashtu tha se në takimin e ardhshëm, katër ministrat mund të përgatiten edhe për një samit të mundshëm liderësh.
Dhjetorin e kaluar, ministrat e mbrojtjes dhe shefat e inteligjencës së Türkiyes, Rusisë dhe regjimit sirian u takuan në Moskë dhe ranë dakord të vazhdojnë takimet trepalëshe për të garantuar stabilitetin në Siri dhe në rajonin më të gjerë.
Në bisedime u përfshi edhe Irani, me Türkiyen që më parë tha se Ankaraja do të ishte e kënaqur “nëse Irani përfshihet në këtë proces”.
Takimi i ardhshëm i ministrave të jashtëm do të vazhdojë bisedimet e nivelit të lartë midis Türkiyes dhe fqinjit të saj Sirisë që nga fillimi i luftës civile në vitin 2011.