Kryediplomati saudit diskuton për Gazën me Türkiyen dhe vendet arabe / Foto: AA

Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Faisal bin Farhan diskutoi për çështjen e armëpushimit në Gaza me homologët e tij të Türkiyes, Egjiptit, Jordanisë dhe Bahreinit.

Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite thuhet se Bin Farhan zhvilloi biseda telefonike me ministrin e Jashtëm të Türkiyes Hakan Fidan, ministrin e Jashtëm të Egjiptit Badr Abdelatty, ministrin e Jashtëm të Jordanisë Ayman Safadi dhe ministrin e Jashtëm të Bahreinit Abdullatif bin Rashid Al-Zayani.

Në biseda u trajtuan zhvillimet e fundit lidhur me kauzën palestineze, rikthimin e të drejtave legjitime të popullit palestinez si dhe përpjekjet e vendeve islame që synojnë sigurimin e armëpushimit në Gaza.

Po ashtu, në bisedat ku u diskutua për shkeljet e Izraelit që vazhdojnë në territoret palestineze nën pushtim, ndër të tjera u vlerësuan edhe rrugët për forcimin e punimeve të përbashkëta të vendeve arabe dhe islame të cilat do të ndalojnë shkeljet në fjalë të Izraelit.

Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori i vitit 2023 e deri më tani janë vrarë 40.738 palestinezë, përfshirë të paktën 16.673 fëmijë dhe 11.269 gra, ndërsa janë plagosur 94.154 të tjerë.

Nën rrënoja ende ka mijëra të vdekur ndërsa po shkatërrohet infrastruktura civile duke u shënjestruar spitalet dhe institucionet arsimore ku strehohet popullata.

Që nga 7 tetori 2023, të paktën 681 palestinezë janë vrarë në sulmet e ushtarëve izraelitë dhe izraelitëve që grabisin tokat palestineze në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor të pushtuar.

AA