Kryediplomati suedez: Djegia e Kuranit krijon imazh të keq për vendin / Foto: AA

Ministri i Jashtëm suedez Tobias Billström tha për gazetën "Syndsvenskan" se akti i djegies së Kuranit të Shenjtë në Suedi mund ta kthejë imazhin e mirë të vendit të tij në një imazh të keq.

Sipas tij, Suedia po lufton për të shpëtuar reputacionin e saj.

"Imazhi i mirë i Suedisë do të ndryshojë për të keq në afat të gjatë nëse vazhdon të portretizohet si islamofobike. Duket e vështirë të parashikohet se çfarë lloj pasojash do të ketë kjo në procesin e miratimit të anëtarësimit të Suedisë në NATO. Megjithatë, është e rëndësishme që qeveria të mbrojë edhe lirinë e shprehjes", tha Billström.

Ministria e Jashtme të Suedisë në një deklaratë të publikuar dje dënoi djegien e Kuranit para një xhamie më 28 qershor, ditën e parë të Bajramit të Kurbanit në Stokholm.

"Qeveria suedeze e kupton se veprimet islamofobike të individëve në protestat në vend mund të jenë ofenduese për myslimanët. Ne i dënojmë fuqishëm këto veprime që nuk pasqyrojnë në asnjë mënyrë pikëpamjet e qeverisë suedeze", thuhet në deklaratë.

Duke e përshkruar djegien e Kuranit dhe librave të tjerë të shenjtë si "provokim të qartë" në deklaratë thuhet se "Racizmi, ksenofobia dhe intoleranca e lidhur me këtë nuk kanë vend në Suedi ose Evropë".

Në Stokholm, Salwan Momika, me origjinë nga Iraku, dogji Kuranin nën mbrojtjen e policisë përpara xhamisë së Stokholmit më 28 qershor. Për këtë ngjarje reaguan shumë vende, përfshirë ShBA-në dhe Rusinë si dhe vendet islame, veçanërisht Türkiye, Iraku, Pakistani, Indonezia dhe Afganistani.

Autoritetet suedeze nisën hetim për incidentin.

Pas reagimeve, policia suedeze tha se është ngritur kallëzim ndaj Momikas, i cili ka kryer aktin e djegies së Kuranit, për veprën penale të "provokimit të popullit".

AA