Kryeministri pakistanez: Gjenocidi në Gaza nuk mund të injorohet /         Foto: AA

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, tha se gjenocidi që vazhdon në Gaza nuk mund të injorohet.

Kryeministri Sharif foli në Këshillin e Krerëve të Qeverisë të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO) që u mbajt në kryeqytetin Islamabad.

Duke shpjeguar se janë në një periudhë tranzicioni historik ku po ndodhin transformime që riformojnë çështjet sociale, politike, ekonomike dhe të sigurisë, Sharif tha se SCO është simbol i multilateralizmit.

Ai e përshkroi ndryshimin e klimës si "një krizë ekzistenciale që i kapërcen kufijtë". "Është e domosdoshme që ne t'i japim përparësi bashkëpunimit mjedisor brenda SCO për të ndërtuar rezistencë për brezat e ardhshëm dhe për të siguruar të ardhme të qëndrueshme", tha Sharif.

Sipas gazetës "Dawn", Sharif tha në fjalën e tij përmbyllëse se "Para se të mbaroj fjalët e mia, do të doja të theksoja se ne nuk mund të injorojmë gjenocidin që vazhdon në Gaza".

Sharif vuri në dukje se komuniteti ndërkombëtar ka përgjegjësinë për të siguruar armëpushim të pakushtëzuar që do të çojë në krijimin e shtetit të Palestinës në bazë të kufijve të vitit 1967.

Kryeministri pakistanez u bëri thirrje anëtarëve të SCO-së që të fokusohen në bashkëpunim dhe jo në pikëpamje dhe ndarje të ndryshme.

AA