Kryeprokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare Karim Khan u bën thirrje vendeve nënshkruese të Statutit të Romës që të respektojnë urdhërarrestet për kryeministrin izraelit, ish-ministrin izraelit të Mbrojtjes dhe komandantin e Hamasit.
GjNP-ja nuk ka autoritet për ta zbatuar mandatin e saj, por, teknikisht, secili nga 124 shtetet palë në Statutin e Romës duhet ta arrestojë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Galant dhe kreun e krahut të armatosur të Hamasit, Mohamed Deif, nëse të dyshuarit hyjnë në territorin e tyre.
Kërkesa për lëshimin e urdhrit të arrestit për treshen e lartpërmendur është dorëzuar nga kryeprokurori Khan në maj të këtij viti për krime të dyshuara lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera gjatë sulmit nga anëtarët e Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor dhe ofensivës izraelite në Rripin e Gazës.
"U bëj thirrje të gjitha shteteve nënshkruese t'i përmbushin detyrimet e tyre sipas Statutit të Romës duke respektuar dhe vepruar në përputhje me urdhrat e gjykatës," tha Khan, duke u bërë thirrje gjithashtu shteteve që nuk janë nënshkruese të Statutit të Romës të bashkëpunojnë në mbrojtjen e ligjit ndërkombëtar.
Khan shpjegoi gjithashtu se ata po vazhdojnë të hetojnë situatën në Gaza. Ai tha se ekipi i tij po fokuson hetimin e tij në zona të tjera nën juridiksionin e gjykatës, të cilat përfshijnë Gazën dhe Bregun Perëndimor, duke përfshirë Jerusalemin Lindor.
"Jam thellësisht i shqetësuar nga raportet për përshkallëzimin e dhunës, kufizimet e mëtejshme në aksesin humanitar dhe shtimin e akuzave për mizori në Gaza dhe Bregun Perëndimor," tha Khan.
Gjykata lëshoi një urdhër arresti për Deif dhe deklaroi se prokurori nuk mund të përcaktojë nëse i dyshuari ishte ende gjallë. Izraeli pretendoi se e kishte vrarë, ndërsa lëvizja palestineze Hamas ende nuk e ka konfirmuar vdekjen e tij.
Netanyahu e quajti urdhrin për arrestimin e tij një akt antisemitik. Sipas vendimit të GjNP-së, vendet nënshkruese të Statutit të Romës, që është baza ligjore e gjykatës, do të duhet ta arrestojnë Netanyahun, Galantin dhe Deifin pas hyrjes së mundshme në territorin e tyre dhe t'ia dorëzojnë gjykatës. Izraeli nuk është anëtar i GjNP-së, ndërsa Palestina është.
Shtetet e Bashkuara, Kina, India dhe Rusia gjithashtu nuk janë anëtarë të gjykatës.
Ndërkohë, kryeministri hungarez Viktor Orban tha se do ta ftonte Netanyahun në Hungari. Ai siguroi se autoritetet hungareze nuk do ta respektojnë urdhrin e GjNP-së për arrestimin e tij.
Hungaria, e cila aktualisht mban presidencën e Bashkimit Evropian, është anëtare e GjNP-së.
Hungaria gjithashtu ka refuzuar më parë mundësinë e arrestimit të presidentit rus Vlladimir Putin, për të cilin Gjykata Ndërkombëtare e Hagës ka lëshuar gjithashtu një urdhër me akuza për krime lufte.
Kryeministri slloven Robert Golob garantoi se Sllovenia, si nënshkruese e Statutit të Romës, respekton vendimin e GjNP-së për urdhërarrestet për krime të dyshuara lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe do ta respektojë plotësisht atë. Sllovenia nënshkroi Statutin e Romës më 7 tetor 1998 dhe e ratifikoi atë më 31 dhjetor 2001.