Kryqi i Kuq Turk hapi një zyrë të re delegacioni në kryeqytetin sirian Damask, duke shënuar misionin e tij të dytë të huaj.
Zyra u përurua në selinë e Kryqit të Kuq Arab Sirian (SARC) gjatë një ceremonie ku morën pjesë presidentja e Kryqit të Kuq Turk Fatma Meriç Yılmaz, presidenti i Kryqit të Kuq Sirian Mohammad Hazem, si dhe drejtori i përgjithshëm i Çështjeve Ndërkombëtare dhe Shërbimeve të Migracionit të Kryqit të Kuq Turk Alper Küçük, së bashku me zyrtarë të tjerë, të shtunën.
Pas një ceremonie prerjeje të shiritit dhe nënshkrimit të një protokolli, zyra e delegacionit turk u vendos zyrtarisht brenda ndërtesës së Kryqit të Kuq Sirian.
Pako ndihmash u shpërndanë për ata që janë në nevojë pas këtij eventi. Yılmaz dhe Hazem udhëtuan më pas në distriktin Barzeh në Damask për të shpërndarë ndihma për banorët më të rrezikuar.
Yılmaz i dhuroi një pllakë përkujtimore Hazemit, duke e uruar për emërimin e tij të fundit si president i Kryqit të Kuq Sirian.
Ajo shprehu kënaqësinë e saj për bashkëpunimin e vazhdueshëm, duke përmendur punën e tyre të mëparshme në përpjekjet humanitare në Idlib.
Kjo zyrë delegacioni do t’i ndihmojë ata të vlerësojnë më mirë nevojat dhe të koordinojnë shërbimet në rajon, theksoi Yılmaz.
“Çdo Kryq i Kuq kombëtar, duke punuar me të tjerë brenda vendit të tij, fiton forcë të madhe në fushën e ndihmës humanitare.”
Ajo theksoi rëndësinë e partneritetit, duke shtuar: “Si drejtues të dy Kryqeve të Kuq, kemi premtuar të bashkëpunojmë për t'i përshpejtuar përpjekjet e rimëkëmbjes dhe për të avancuar ndihmën humanitare.”
Bashar al Assad, lideri i regjimit të Sirisë për gati 25 vjet, u largua në Rusi pasi grupet anti-regjim morën nën kontroll Damaskun më 8 dhjetor, duke i dhënë fund sundimit të Partisë Baath, e cila ishte në pushtet që nga viti 1963.
Marrja e kontrollit erdhi pasi forcat e opozitës siriane kapën qytete kryesore në një ofensivë të shpejtë që zgjati më pak se dy javë.